Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot me mësues, të cilët po përballen me vështirësi të shumta për shkak të pandemisë.
Ai tha se qeveria ka dështuar në planin e saj për të menaxhuar situatën për pandeminë. Kryedemokrati tha se shifrat tregojnë se të infektuarit po rriten çdo ditë, dhe se mësuesit vijojnë të punojnë në kushte të vështira.
Sipas tij, pavarësisht thirrjes së PD-së për të testuar mësuesit për Covid-19, qeveria nuk ka bërë asnjë hap para në këtë drejtim.
“Ne i propozuam disa hapa. Të bënte testim masiv për të gjithë mësuesit. Këtë nuk e shpikëm ne, por e bëri edhe Kosova. Pastaj testime periodik. Të merreshin masa si dezinfektimi i ambienteve, ujin e rrjedhshëm që vazhdon të mungojë. Qeverisë i ka dalë jashtë kontrollit pandemia dhe ka dështuar në menaxhimin e pandemisë”, tha ai.
Mësuesit gjatë bashkëbisedimit i thanë Bashës së po përballen me kushte të vështira. Ata shtuan se puna e tyre nuk vlerësohet sa duhet, pavarësisht ngarkesave dhe orëve të zgjatura.
“Kemi filluar një vit të vështirë, e nisëm me vullnet dhe me pasion, por ky pasion po keqpërdoret nga qeveria. Po shkelet apo rrezikohet shëndeti apo dhe deri tek jeta e mësuesit. Nuk vlerësohet puna e mësuesit. Ka ngarkesë të tepërt mësimore. Nuk na tremb, por nuk jemi vlerësuar sa duhet”, u shpreh një mësuese.