Sport Pogba vendos të largohet nga Man. United

Pogba vendos të largohet nga Man. United

Aventurës së dytë të Paul Pogba te Manchester United duket se po i vjen fundi. Mesfushori francez ka vendosur që të lërë “Djajtë e kuq” në muajt e verës, kjo për shkak të rezultateve zhgënjyese të skuadrës në ndeshjet e fundit, por edhe ecurisë së përgjithshme të sezonit. Manchester United rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Champions League edicionin e ardhshëm.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “L’Equipe”, Pogba ua ka bërë të ditur drejtuesve të klubit anglez, dëshirën e tij për t’u larguar nga “Old Trafford”. Reali i Madridit është në “pole position” për të siguruar shërbimet e tij, e Zinedine Zidane në pankinë është një avantazh i konsiderueshëm për “Los Blancos”-it.

Pogba nuk e ka fshehur kurrë objektivin e tij për të fituar Champions League, një trofe i kthyer në fiksim edhe për Juventusin, një tjetër skuadër që e ka vënë në shënjestër francezin, e që po ëndërron rikthimin e tij. Në fakt, presidenti Agnelli do të kërkojë të bëjë një tentativë për ta sjellë Pogbanë sërish në Torino.

Në vitin 2016, Paul Pogba la Juventusin për t’u transferuar te Manchester United për 105 milionë euro, shifër kjo që nuk është shumë e ulët në krahasim me vlerën aktuale të kartonit të tij. Problemi i vetëm, për çdo skuadër që e kërkon atë, është paga e mesfushorit, që sipas bilancit të Manchester United arrin në 20.6 milionë euro në vit.