Aktualitet Policia jep informacion zyrtar: Arrestohet 34-vjeçari që vuri tritolin tek shtëpia e...

Policia jep informacion zyrtar: Arrestohet 34-vjeçari që vuri tritolin tek shtëpia e Dukës

Dy ditë nga shpërthimi në portën e shtëpisë së kreut të FSHF, Armand Duka, policia e Durrësit ka një të arrestuar, si autor të dyshuar të ngjarjes. Ai është 34-vjeçari Arlen Hasanaj.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i Arlen Hasanaj, 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së Armand Dukës, ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore”, tha policia në një njoftim për mediat.

34-vjeçari, i cili mësohet se është sipërmarrës, u ndalua një natë më parë. Për identifikimin e tij grupi hetimor ka ndjekur kamerat e sigurisë në rrugët që Hasanaj zgjodhi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Fill pas ngjarjes ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë në afërsi të portit nga ku më pas me anë të një automjeti ka shkuar në një pallat, çka ka ndihmuar më pas grupin hetimor të bëjë dhe identifikimin e tij.

Arsyet përse mbrëmjen e së hënës 34-vjeçari vendosi rreth 200 gramë tritol në portën e banesës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, momentalisht nuk janë të njohura.