Aktualitet Porositi vrasje me pagesë për 80 mijë euro, SPAK arreston Albert Pashajn

Porositi vrasje me pagesë për 80 mijë euro, SPAK arreston Albert Pashajn

Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të martë arrestimin e Albert Pashajt. Ai dyshohet se ka dashur të vrasë një person në të paktën dy raste, njëherë në vitin 2017 dhe herën tjetër në 2019-n. Objektiv, sipas SPAK ka qenë Aredin Behari. Fatmirësisht të dyja këto tentativa dështuan, kjo pasi në rastin e parë objektivi i pikasi dhe u shtri përtokë. Herën e dytë, pas goditjes së parë, arma e ekzekutorit u bllokua. Në njoftimin e saj, SPAK thotë se Pashaj pajtoi dy ekzekutorë për të kryer krimin, Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, të dy të arrestuar më herët nga autoritetet dhe aktualisht në burg.

Në atentatin e parë, ekzekutori do të ishte Skerdi Tase dhe tentativa ndodhi më datën 5 Nëntor të 2017-s. Por vrasja e Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi ky i fundit i pikasi autorët dhe u shtri menjëherë në tokë.

“Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve Albert Pashaj dhe të dëmtuarit Aredin Behari, i hetuari Albert Pashaj, ka vendosur të vrasë Aredin Beharin në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin Henrik Hoxhaj, që të kryeje vrasjen e Aredin Beharit kundrejt pagesës. Henrik Hoxhaj pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin Skerdi Tase me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase ndodhen aktualisht të arrestuar). Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e Aredin Beharit kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte Skerdi Tase në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase vrasja e Aredin Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjëherë dhe është shtrirë në tokë”, thotë SPAK.

Por sipas hetimeve të prokurorisë, Albert Pashaj nuk e la me kaq dhe me qëllim që ta çonte deri në fund eliminimin e Beharit, në vitin 2019 e rriti pagesën duke e çuar në 80.000 euro. Por siç thotë populli, “jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër” dhe Behari arriti t’i shpëtonte edhe këtij atentati. Në këtë rast, duke qenë se Tase dështoi herën e parë, ekzekutor u vendos të ishte Hoxhaj. E më datë 3 Prill të 2019-s, Hoxhaj arriti të qëllonte një herë në drejtim të Beharit, por për fatin e tij të mirë, pas goditjes së parë autorit të dyshuar iu bllokua kallashnikovi.

“Porositësi Albert Pashaj nuk është ndalur këtu. I hetuari Albert Pashaj ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit Aredin Behari) duke e çuar pagesën në 80.000 euro. Për këtë arsye, të hetuarit Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit Aredin Behari në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte Henrik Hoxhaj, duke qenë se herën e parë i hetuari Skerdi Tase nuk e finalizoi me sukses. Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës Aredin Behari krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit Henrik Hoxhaj pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov”, thuhet më tej në njoftimin e SPAK.