Kulturë Portikët e Bolonjës pranohen në UNESCO

Portikët e Bolonjës pranohen në UNESCO

Portikët e Bolonjës bëhen pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Vendimi u mor sot në takimin e Komitetit të 44 -të të Trashëgimisë Botërore në Fuzhou, Kinë. Në këtë sesion të UNESCO-s, Italia arriti të marrë miratimin për tre sajte të trashëgimisë kulturore, dy të tjerat llixhat e Montecatinit dhe afresket e Padovës.

“Një rezultat fantastik për Bolonjën dhe Italinë. Jemi në krye të listës, kemi dy sajte më shumë se Kina. Është një ditë e bukur për trashëgiminë kulturore kombëtare”, citohet nga La Repubblica ministri i Kulturës, Dario Francheschini.

Më parë, organi konsultues i UNESCO-s ua refuzoi statusin portikëve të Bolonjës, por kjo u pasua me një angazhim të fortë diplomatik nga Italia.

Portikët janë element karakteristik i Bolonjës. Vetëm në qendrën historike, Bolonja ka më shumë se 38 km portikë dhe 53 km të tjera jashtë qytetit.

Ndër to është portiku i San Luca-s, më i gjati në botë, me 3 796 metra gjatësi dhe 666 harqe të mrekullueshme.

Portikët e parë datojnë që nga viti 1041, kohë kur qyteti po përjetonte një rritje popullsisë, për shkak të Universitetit të Bolonjës, i cili tërhoqi shumë studentë dhe akademikë dhe imigracionit nga fshatrat afër. Qyteti u përball me një emergjencë të vërtetë strehimi dhe lindi nevoja për hapësira të reja urbane. Prandaj, qytetarët vendosën të rrisin kapacitetin në m3 të shtëpive të tyre, duke zgjeruar katet e sipërme me anë të trarëve prej druri që mbështeteshin në trarët mbajtës të papafingove.

Me kalimin e kohës, këto hapësira u zgjeruan dhe lindi nevoja të ndërtoheshin kolona mbështetëse nga poshtë, për të mbajtur peshën. Kështu lindën portikët. Bolonjezët e kuptuan menjëherë dobinë e portikëve, që ofronin mbrojtje nga dielli dhe moti i keq, duke u lejuar qytetarëve dhe turistëve të lëviznin nëpër qytet në çdo lloj moti. Portikët favorizuan edhe zhvillimin e aktiviteteve tregtare dhe artizanale, si dhe i bënë katet përdhese më të banueshme, duke i larguar ato nga papastërtia e rrugëve.

Në 1288, Komuna e Bolonjës vendosi që të gjitha shtëpitë e reja duhet të ndërtohen me një portik murature, ndërsa atyre ekzistuese iu kërkua ta shtonin një të tillë. Megjithatë, deri tani kanë mbijetuar tetë portikë prej druri.