Sport Presidenti i UEFA-s kundër VAR: Të llogarit pozicion jashtë loje edhe nëse...

Presidenti i UEFA-s kundër VAR: Të llogarit pozicion jashtë loje edhe nëse ke hundën e madhe…

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka pranuar se VAR-i është si një rrëmujë, por tha se nuk ka kthim mbrapa nga përdorimi i video-teknologjisë. Ky program teknologjik u krijua për të zvogëluar numrin e vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve, por ka prodhuar më shumë debate në Premier League, këtë sezon. Pjesa më e madhe e këtyre polemikave lidhen me vendimet e “offside” praktikisht të padukshëm për syrin e lirë, por mjaftueshëm për të anuluar disa gola, pas rishikimeve të pamjeve filmike shpesh të gjata.

“VAR është një rrëmujë, – tha Ceferin për “Daily Mirror”. – Unë nuk mendoj se toleranca e një, ose dy centimetrave për “offside”, për shembull, është e mjaftueshme. Ne do t’i propozojmë një ndryshim IFAB. Gjithashtu, gjyqtarëve tanë”.

VAR ka hyrë në përdorim në pjesën më të madhe të Europës, ka funksionuar më gjatë se në Premier League. Ceferin mbrojti standardet e aplikuara në garat e vetë UEFA-s, por përmirësimet e video-teknologjisë janë akoma të nevojshme.

“Ne nuk kemi shumë ndërhyrje në garat e UEFA-s, sepse kryeshefi ynë i arbitrave, Roberto Rosetti, i tha VAR-it: Duhet të jetë një gabim i qartë dhe i dukshëm, që ta merrni në shqyrtim, – shtoi kreu i UEFA-s. – Por, në ditët e sotme është një presion i ndryshëm. Nëse jeni gjyqtari në fushë, edhe pse keni 70.000, ose 80.000 njerëz duke bërtitur, duhet të vendosni vetë, jo një person i fshehur diku në Londër, Berlin apo diku tjetër.

Unë nuk kam qenë një tifoz i VAR. Madje, kam qenë shumë skeptik dhe mund të them se nuk më pëlqen rezultati i deritanishëm. Sidoqoftë, për fat të keq, nuk ka më asnjë kthim mbrapa. Futbollistët nuk festojnë më pas një goli, por presin VAR. Në këto kohë rrezikon të jesh në pozicion jashtë loje vetëm se ke hundën e madhe. Linjat e “offside” janë të vizatuara nga VAR, ndaj ky kriter është pak subjektiv. Propozimi ynë është që të kemi një tolerancë prej 10 apo 20 centimetrash në këto raste. Para dy javësh patëm një takim me trajnerët më të mirë, Klopp, Ancelotti, Guardiola, Allegri dhe Zidane.

Iu treguam një faull me dorë dhe i pyetëm nëse ishte i dënueshëm apo jo. Gjysma tha po, të tjerët thanë jo. Prandaj, më thoni si mund të jetë e qartë rregullorja. Disa arbitra në Angli nuk e kontrollojnë fare VAR, ndërsa në Itali rrinë gjysmë ore për të marrë vendimin. Anësorët as nuk e ngrenë më flamurin. Ata presin, presin dhe presin VAR. Si ta përcaktojmë një prekje të topit me dorë, nëse është i qëllimshëm apo jo? Arbitri nuk është psikolog, që ta dijë nëse prekja me dorë bëhet me qëllim apo jo. Pra, është një rrëmujë, një lëmsh”.