Bota Protestat në SHBA kundër dhunës së policisë, vritet një 19-vjeçar

Protestat në SHBA kundër dhunës së policisë, vritet një 19-vjeçar

Një 19-vjeçar ka mbetur i vrarë në Detroit, si pasojë e të shtënave drejt turmës që po protestonte për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis nga një agjent i bardhë, i cili i mbajti gjurin në fyt për nëntë minuta rresht.

“Drejtësi”, ishin thirrjet e qindra njerëzve të mbledhur mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë kundër brutalitetit të policisë ndaj komunitetit me ngjyrë. Situata u tensionua në momentin kur disa protestues u përpoqën të heqin pengesat mbrojtëse që ndanin turmën nga agjentët e shërbimit sekret.

Shumë vende janë përfshirë nga dhuna dhe kaosi. Garda dhe ushtria janë në rrugë. Atlanta vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, në Georgia, Minnesota dhe vende të tjera  protestuesit u kanë vënë zjarrin disa makinave.

Përleshje me policinë, zjarrvënie e shkatërrime të makinave të policisë pati edhe ne Nju Jork. Disa oficerë policie u plagosën dhe shumë protestues u arrestuan.

Presidenti Donald Trump kërcënoi në Twitter protestuesit duke thënë se kur nis dhuna dhe plaçkitjet, nisin edhe të shtënat. Por menjëherë më pas vetë Twitter shtoi një njoftim se mesazhi i kreut të Shtëpisë së Bardhë shkelte rregullat e tij për “glorifikimin e dhunës”.

Derek Chauvin, agjenti i arrestuar për vrasjen e Floyd, më herët kishte vrarë një të dyshuar, kishte marrë pjesë në një tjetër operacion që kishte përfunduar me vdekjen e një të riu dhe mori të paktën 17 ankesa gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar në departamentin lokal të policisë.