Sport Protokolli i Formula 1: Edhe nëse ka të infektuar nuk do të...

Protokolli i Formula 1: Edhe nëse ka të infektuar nuk do të pezullohet

Edhe nëse do të zbulohen të infektuar nga Covid-19, Kampionati Botëror i Formula 1 nuk do të pezullohet përsëri.

Deklarata erdhi nga kreu i komisionit mjekësor të FIA-s, Gerard Zailant. “Nëse ka përsëri kontaminim, aktiviteti nuk duhet të ndalet. Do të ishte sikur të thoshim do të mbyllim metronë sepse është gjetur një person pozitiv”, shpjegoi Zailandm duke ilustruar edhe protokollin mjekësor në prag të Çmimit të Madh të Austrisë, më 5 korrik. “Situata ka ndryshuar shumë në krahasim në Australi. Ne tashmë kemi pajisje të shpejta testimi për konfirmimin e diagnozës dhe të testojmë persona që kanë qenë në kontakt me rastet pozitive”.

Ideja e FIA-s është të krijojë një zonë ku të vendoset e gjithë pjesa ndihmëse e një skuadre, një qendër e improvizuar shëndetësore, e izoluar nga pjesa tjetër. Pra teste të shpejta, ku kërkohen të infektuarit dhe një aplikacion që gjurmon kontaktet në skuadër. Janë planifikuar gjithashtu teste të pështymës dhe përputhshmëria me rregulloret shëndetësore të çdo vendi.

Për momentin, ndryshimi kryesor është ai mes çmimeve të mëdha të Europës dhe atyre në Azi, me këta të fundit që e kanë shumë të ndryshëm organizimin mjekësor, si rasti i Singaporit, ku qeveria që sot mund të detyrojë të gjithë stafin e një skuadre të hynte në karantinë dyjavore përpara se të zbresë në pistë.