Shëndet Pse disa njerëz janë “gjenetikisht të lindur” të mos pëlqejnë disa lloje...

Pse disa njerëz janë “gjenetikisht të lindur” të mos pëlqejnë disa lloje ushqimesh?

Një nga arsyet kryesore përse nuk mund të hani perime të tilla si brokoli apo lulelakër pasi ju duken të hidhura dhe pashije është pikërisht fakti se mund të keni trashëguar gjenet përgjegjëse për këtë fenomen. Kjo mund të shpjegojë pse disa njerëz e kanë të vështirë të përfshijnë mjaft perime në dietën e tyre, por edhe produkte të tjera ushqimore masive si birra, kafja apo edhe çokollata të cilat mund t’iu duken tepër të athëta apo me shije të keqe.

Në terma evolucioni, të qenit i ndjeshëm ndaj shijes së hidhur mund të jetë shumë e dobishme pasi ky lloj reagimi i organizmit i mbron njerëzit nga ngrënia e gjërave që mund të jenë helmuese.

Sipas mjekes Jennifer Smith dhe kolegëve të saj nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Kentucky, SHBA, kjo mund të nënkuptojë gjithashtu që disa njerëz të jenë në vështirësi konstante për të realizuar dietën e shëndetshme javore të perimeve dhe frutave të këshillueshme.

Të gjithë trashëgojnë dy kopje të një gjeni të shijes të quajtur TAS2R38. Ai kodon një proteinë në receptorët e shijes në gjuhë, gjë që na lejon të shijojmë të hidhurën.

Njerëzit të cilët trashëgojnë dy kopje të një varianti të gjenit TAS2R38, të quajtur AVI, nuk janë të ndjeshëm ndaj shijeve të hidhura nga kimikate të caktuara. Ata me një kopje të AVI dhe një tjetër të quajtur PAV perceptojnë shijet e hidhura të këtyre kimikateve, por jo në një shkallë kaq ekstreme, sa individët me dy kopje të PAV, shpesh të quajtura “super-shijues”, për të cilët po të njëjtat ushqime janë jashtëzakonisht të hidhura.

Shkencëtarët studiuan 175 njerëz dhe gjetën që ata me dy kopje të shijes së hidhur me versionin PAV të gjenit hëngrën vetëm sasi të vogla të perimeve me gjethe jeshile, të cilat janë të mira për zemrën.

Studiuesit shpresojnë të zbulojnë nëse përdorimi i erëzave mund të ndihmojë në maskimin e shijes së hidhur dhe t’i bëjë perimet më tërheqëse për njerëzit që nuk kanë mundësi gjenetike për të pëlqyer këto varietete. /BBC / SCAN