Aktualitet Pse hesht shoqëria civile për shembjet tek “5 Maji”?

Pse hesht shoqëria civile për shembjet tek “5 Maji”?

Banorët e 5 Majit ishin përgatitur që të mos lejonin fadromat t’u prishnin shtëpitë, ende pa firmosur një kontratë.

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, banorët nisën rezistencën ndaj policisë.

Përleshja u ndal kur në përdorim u fut gazi lotsjellës. Kjo ishte panorama se çfarë ndodhi sot në bllokun e banesave që ishin vendosur të prisheshin të martën. Përballë kordonit të policisë, me lot dhe dëshpërim në fytyra, banorët ndoqën aksionin e IKMT.

Banorët thonë se nuk e kundërshtojnë zhvillimin e zonës, por nuk dakordësohen me kontratat që u janë ofruar paraprakisht.

Disa prej shtëpive janë të legalizuara e disa të tjera në proces legalizimi, por fatin e kanë të njëjtë.

Nëse nuk rishikohen kontratat, banorët thonë se do të aplikojnë për azil jashtë Shqipërisë.

U bënë disa muaj protesta, por pas asnjë rezultat për ta. Po pse pa rezultat? Sepse banorët e 5 Majit nuk kishin kundër vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe heshtjen e të ashtuquajturës shoqëria civile.

Këta të fundit hiqen sikur janë në ballë të çdo beteje pro qytetarëve, por vetëm nëse nuk është në mes kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Nëse ky i fundit është i përfshirë, shoqëria civile, që reagon për çdo gjë, hesht. Po pse? Përgjigjja është e thjeshtë: janë të blerë nga Bashkia e Tiranës.

I vetmi që iu është bashkuar protestave të banorëve të “5 majit” ka qenë Fatos Lubonja. Analisti e ka cilësuar projektin e Bashkisë së Tiranës si një projekt kriminal dhe ka akuzuar se qeveria iu ka vënë rruspat banorëve për t’i hapur rrugë lavariçeve të pastrimit të parave.

“Këtu është e qartë që gjithë këto shtëpi janë ndërtuar me mundim të gjatë, me djersë. Ca thonë janë zaptuar toka, po këtu është një djersë njerëzore e një jete. Ky projekti është një projekt kriminal që kërkon të pastrojë paratë e pista të njerëzve të krimit, por qeveria është qeveria e krimit prandaj ju ka vënë ju ruspat për t’i hapur rrugën lavatriçeve të parave. Është një problem i gjerë që përfshin gjithë Shqipërinë, ju jeni një pjesë. Thotë një fjalë e vjetër popullore, ‘çfarë sheh në kodër, prite në votër’. Me sa e shoh unë këtë punë, kjo bandë kriminale, fiton me lote, punon me të hangër pak e nga pak. Shumë njerëz që e shohin në kodër, thonë s’po më vjen në votër”, deklaroi Lubonja.

Ndërsa mediat që mbështetën banorët e 5 majit ishin të pakta, për arsyen se shumica prej tyre janë të kapura nga kryebashkiaku, madje edhe mediat e Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës, që bëjnë opozitë vetëm kundër Edi Ramës, por kurrë kundër Erion Veliajt.

Ndërsa siç thamë më lart, shoqëria civile në Shqipëri me mosmbështetjen ndaj një kauze si ajo e banorëve të 5 Majit konfirmoi që janë thjesht njerëz të blerë që veprojnë sipas direktivave të Bashkisë së Tiranës.