Kryesore Pse po largohen shqiptarët nga Greqia?

Pse po largohen shqiptarët nga Greqia?

Athina

Shqiptarët përbëjnë rreth 70% të të huajve në Greqi por së fundmi qeveria greke ka publikuar një raport i cili tregon se ata po largohen me ritme të shpejta.

Shumë shtetas shqiptarë të ligjshëm dhe me leje qëndrimi të vlefshme po largohen nga Greqia, sipas të dhënave të publikuara në gusht nga Ministria Greke për Migracionin dhe Azilin.

Sipas të dhënave të nxjerra nga Ministria në gusht 2021, 422.954 emigrantë nga Shqipëria kishin një leje qëndrimi të vlefshme.

Kjo përbënte 63% të të huajve rezidentë të ligjshëm në Greqi. Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se në vitin 2022 janë 291.868 shtetas shqiptarë me leje qëndrimi të vlefshme në Greqi.

Raport i publikuar nga Ministria Greke e Emigracionit

Rënia e numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi lidhet jo vetëm me procedurat më të rrepta për dhënien e lejeve të qëndrimit dhe marrjen e nënshtetësisë greke, por edhe me një lëvizje dinamike të punëtorëve shqiptarë dhe familjeve të tyre drejt vendeve të tjera evropiane me kushte dhe perspektiva më të mira.

Ata zgjedhin vende të tjera europiane

Një numër i madh i shqiptarëve që jetonin në Greqi kanë emigruar në Evropën Veriore dhe Britaninë e Madhe pasi kanë hasur vështirësi në Greqi për sa i përket punësimit dhe rritjes së çmimeve.

Presidenti i Qendrës së Punës të Halkidikit, Christos Euframidis, thotë: “Gjatë pandemisë u bë shumë e vështirë për punëtorët ballkanikë të hynin në vendin tonë (mbyllja e kufirit, testi pcr) dhe shumë u kthyen në tregjet e Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Italisë. Pagat ditore atje janë më të larta dhe tani ata zgjedhin të punojnë atje”. Në të njëjtën kohë, ai vë në dukje se grekët e rajonit i janë drejtuar turizmit vitet e fundit.

Në vitin 2022 sipas raportit të ministrisë, ishin 13.329 shtetas shqiptarë që identifikohen me emërtimin e veçantë “homogjenë” në letërnjoftime. Kjo i identifikon zyrtarisht si individë të minoritetit grek nga Shqipëria.

Në total, mund të ketë më shumë se gjysmë milioni individë me origjinë shqiptare në Greqi, të cilët së bashku me fëmijët e tyre kanë marrë nënshtetësinë greke ndër vite.

Italia dhe Greqia ende presin numrin më të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë, ku numri është në rritje në Itali, ndërsa në Greqi zvogëlohet vit pas viti për shkak të vështirësive ekonomike.