Extra Pse tradhtojnë ata që janë të lumtur në martesë?

Pse tradhtojnë ata që janë të lumtur në martesë?

Tradhtia nuk ndodh vetëm në çiftet e palumtura. Individë të angazhuar në martesa apo lidhje serioze, që e duan parnterin/en, ndodh ta gjejnë veten në krahët e dikujt tjetër. Ester Perel, psikologe, terapiste çiftesh dhe autore e disa librave mbi këtë temë, shpjegon impaktin që ka një tradhti në marrëdhëniet mes dy partnerëve.

“Pak ngjarje në jetën e një çifti, përveç sëmundjes dhe vdekjes, mbartin një forcë kaq shkatërruese. Për vite, unë kam punuar si terapiste me qindra çifte që janë shkatërruar nga tradhtia. Ajo nuk ndodh vetëm brenda mureve të një hoteli, por në aeroplanë, në darka festash, në konferenca, në sallonin e thonjve, me kolegë, me djalin e rrjetit kabllor dhe natyrisht, në mediat sociale. Tradhtia bashkëshortore ka ekzistuar qëkur u shpik martesa, megjithatë ky akt jashtëzakonisht i zakonshëm nuk kuptohet ashtu siç duhet. Përreth globit, përgjigjet që kam marrë për tradhtinë kanë qenë nga dënimi i hidhur te pranimi i heshtur, deri te dhembshuria e kujdesshme apo edhe entuziazmi”, thotë Perel.

Megjithatë, tradhtitë zbulojnë qëndrimet tona personale dhe kulturore në lidhje me dashurinë, epshin dhe përkushtimin – qëndrime që kanë ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë 100 viteve të fundit. Kjo sepse qasja ndaj martesës ka ndryshuar shumë.

“Tradhtitë nuk janë ato që kanë qenë më parë sepse martesa nuk është ajo që ka qenë dikur. Për pjesën më të madhe të historisë, dhe në shumë pjesë të botës edhe sot, martesa ka qenë një aleancë pragmatike që siguronte stabilitet ekonomik dhe kohezion shoqëror. Për shumicën e çifteve moderne perëndimore, martesa nuk është më një ndërmarrje ekonomike, por më tepër shoqërore – një fejesë me zgjedhje të lirë midis dy individëve, e bazuar jo në detyrim, por në dashuri dhe afeksion. Kurrë më parë, pritshmëritë tona për martesën nuk kanë marrë përmasa të tilla epike. Ne ende duam gjithçka që familja tradicionale kishte për qëllim të siguronte – siguri, respekt, pronësi dhe fëmijë – por tani ne gjithashtu duam që partneri ynë të na dojë, të na dëshirojë, të interesohet për ne. Ne duhet të jemi miqtë më të mirë dhe të besuarit e tyre, por edhe dashnorët e pasionuar. Të mbërthyera brenda rrethit të vogël që mbajmë në gisht, këto janë ideale jashtëzakonisht kontradiktore. Ne duam që ai që kemi zgjedhur të na ofrojë stabilitet, siguri dhe besueshmëri. Dhe ne duam që i njëjti person të na ofrojë misterin, aventurën dhe rrezikun. Ne presim rehati dhe avantazh, familjaritet dhe risi, vazhdimësi dhe befasi. Ne kemi krijuar një Olimp të ri, ku dashuria do të mbetet e pakushtëzuar, intimiteti joshës, dhe seksi, oh aq eksitues, me të njëjtin person, për një kohë të gjatë. Dhe kjo barrë sa vjen e bëhet më e madhe”, thotë Perel.

Marrëdhëniet kanë evoluar dhe kemi arritur në një pikë ku krijojmë iluzionin se tradhtia nuk duhet të ndodhë, pasi të gjitha arsyet janë zeruar; është arritur ekuilibri perfekt i lirisë dhe sigurisë. E megjithatë, tradhtia ndodh. Mungesa e besnikërisë ndodh në martesa të këqija dhe në martesa të mira. Ndodh edhe në marrëdhënie të hapura, ku seksi jashtëmartesor negociohet me kujdes paraprakisht. Liria për t’u larguar ose për t’u divorcuar nuk e ka vjetëruar tradhtinë. Atëherë pse tradhtojnë njerëzit? Dhe për më tepër, pse tradhtojnë njerëzit e lumtur?

“Ne mund të na krijohet ideja se një martesë e përsosur do të na mbajë larg atyre që i konsiderojmë “zgjedhje institktive”. Në fakt, në një kthesë mizore të fatit, është pikërisht pritja e lumturisë së brendshme që mund të na çojë drejt pabesisë. Dikur, ne humbëm sepse martesa nuk supozohej të jepte dashuri dhe pasion. Sot, ne largohemi sepse martesa nuk arrin të japë dashurinë dhe pasionin e premtuar. Nuk kanë ndryshuar dëshirat tona, por fakti që ne ndihemi në të drejtën tonë – madje edhe të detyruar – t’i ndjekim ato”, thotë Perel.

Pabesia jo gjithmonë ka lidhje direkte me mosfunksionimin martesor. Në shumë raste, një tradhti kompenson mungesën ose krijon një arratisje.

“Pasiguria në lidhje, shmangia e konfliktit, mungesa e zgjatur e seksit, vetmia apo vite të tëra përsëritje të të njëjtave zënka i çojnë shumë njerëz drejt shkeljes së kurorës. Dhe pastaj janë tradhtarët përsëritës, narcistët që ia hedhin pa u ndëshkuar thjesht sepse munden”, shpjegon Perel.

Ajo sjell rastin e njërës prej klienteve të saj: një grua në moshë të mesme, me një martesë të mirë shumëvjeçare dhe fëmijë të rritur. Pria thotë se e do të shoqin, por kohët e fundit ka një të dashur që vite më parë as mund ta mendonte: një shofer kamioni me shumë tatuazhe. Në një fjali të vetme, Pria shpjegon arsyen që mund t’i shtyjë shumë njerëz të kalojnë kufirin e martesës dhe ta përsërisin këtë.

“Pria më tregon për takimet e saj të nxehta me të dashurin: “Nuk kemi ku të shkojmë, kështu që gjithmonë fshihemi në kamionin e tij ose makinën time, në kinema, në stola parku. Ndihem si një adoleshente me një të dashur. Ata kanë bërë seks vetëm pak herë gjatë gjithë kësaj marrëdhënieje të re, por e gjitha ka të bëjë më shumë me të ndierit seksi sesa me vetë seksin si akt. E vetëdijshme se po i jep zë një prej përvojave më të zakonshme të atyre që shkelin kurorën, ajo thotë: “Kjo më bën të ndihem e gjallë”.

Ndërsa e dëgjoj, nis të dyshoj se lidhja e saj nuk ka të bëjë as me burrin dhe as me marrëdhëniet e tyre. Historia e saj i bën jehonë një teme që është shfaqur vazhdimisht në punën time: tradhtitë si formë e vetëzbulimit, kërkimi i një identiteti të ri (ose të humbur). Për këta kërkues, pabesia ka më pak të ngjarë të jetë simptomë e një problemi, dhe me shumë gjasa një përvojë e gjerë që përfshin rritjen, eksplorimin dhe transformimin”, thotë Perel. / Marrë me shkurtime nga The Atlantic / TvT