Sport PSG kampione 4 javë nga fundi, vendimtar golit i Messi

PSG kampione 4 javë nga fundi, vendimtar golit i Messi

78 pikë në 34 javë, finalizohet me sukses operacioni titull në Ligue 1 ku PSG rikthen trofeun në Kullën Eiffel pas një viti ku Lille bëri surprizën e madhe. Franca është kampionati i dytë në 5 të mëdhenjtë e kontinentit që jep verdiktin më të rëndësishëm të sezonit duke i dorëzuar klubit të sheikëve dhe treshes Messi-Mbappe-Neymar e bandës së Pochetinos një titull aspak të vuajtur por shumë të merituar.

Në ndeshjen e mesjavës, PSG barazoi 1-1 me gol të Lionel Messit ndaj Lens në kryeqytet dhe e çoi në 15 pikë diferencën me Marsejën duke e bërë të pavlerë çdo rezultat të skuadrës bardhekaltër të dielën.

Ky është titulli i dhjetë në historinë e Ligue 1 për PSG, duke barazuar në krye të klasifikimit Saint-Ettiene që numëron po kaq trofe dhe duke lënë pas rivalët e Marsejë me 9. Sezon rekordesh për PSG që e kompletoi kryeveprën e dhjetë në një ndeshje ku e çoi në 14 serinë e takimeve rresht pa humbje ndërsa Mbappe kryeson bindshëm listën e golashënuesve me 22 realizime personale duke rrëmbyer gjithashtu fronin në betejën e golashenuesve.

Medalja e parë për Lionel Messin larg Barcelonës dhe e 11-ta në karrierë si kampion në një kampionat. Gjithsesi ky sezon ishte një zhgënjim për argjentinasin, i cili ka sigluar vetëm 4 rrjeta sezonale dhe në qershor mund t’u japë lamtumirën kampionëve të Francës ashtu si Mbappe me destinacion Realin e Madridit.

24 fitore dhe vetëm 4 humbje në 33 javë kampionat, PSG mund të krenohet me sulmin më të mirë dhe gjithashtu mbrojtjen më të fortë. Sezoni 2021-2022 ka vetëm një skuadër, atë të sheikut Al-Khelaifi. Në 4 javët e mbetura, Marseille, Rennes dhe Monaco do të luftojnë për zonën Champions, ndërsa gara mes 6 apo 7 ekipeve mbetet e hapur edhe për mbijetesën.