Bota Zelensky tregon se si i jepet fund luftës: Ai që e nisi,...

Zelensky tregon se si i jepet fund luftës: Ai që e nisi, edhe mund t’i japë fund

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një konferencë për shtyp të mbajtur në një metro të Kievit, ka kërkuar një takim mes tij dhe homologut rus, Vladimir Putin, “për t’i dhënë fund luftës”.

“Mendoj se ai që e nisi këtë luftë, edhe mund t’i japë fund”, tha Zelensky.

“Kam këmbëngulur që në fillim që t’i bëj negociatat me liderin e Federatës Ruse, pasi mendoj se takimet me ndërmjetës nuk do të japin efektin e dëshiruar”, shtoi Presidenti ukrainas.

Zelensky shtoi se nuk ka frikë nga takimi me Putinin, pasi i ka quajtur “tentativë vrasjeje” simptomat e helmimit që kanë pasur pjesëtarë të grupeve negociatore ruso-ukrainase në javët e kaluara.

“Nuk kam të drejtë që të kem frikë sepse populli im ka treguar që nuk ka frikë nga asgjë. Ata kanë frikë për fëmijët e tyre, kjo është e vërtetë, por nga asgjë tjetër”, theksoi Zelensky.

Presidenti Zelensky deklaroi se Ukraina do të tërhiqej nga bisedimet me Moskën nëse ushtarët të ngujuar në një fabrikë të madhe çeliku në Mariupol vriten nga trupat ruse dhe nëse Rusia mban një referendum për aneksimin e Mariupolit dhe pjesëve të tjera të vendit të tij.

“Nëse njerëzit tanë vriten në Mariupol dhe nëse mbahen pseudo-referendume në rajonin jugor të Khersonit atëherë Ukraina do të tërhiqet nga çdo proces negocimi”, theksoi Zelensky.

Presidenti ukrainas foli edhe për një vizitë të pritshme në Kiev të Sekretarit amerikan të shtetit Blinken dhe atij të Mbrojtjes Lloyd Austin. Ndërkaq nga zhvillimet në terren trupat ruse kanë goditur me raketa një objekt ushtarak dhe dy godina banimi në Odesa, duke shkaktuar të paktën 8 viktima dhe disa të plagosur.

Ndërkaq autoritetet ukrainase kanë shpallur shtetrrethimin këtë fundjavë të Pashkës Ortodokse. Ushtria ruse po vijon sulmin e saj ndaj mbrojtësve të fundit ukrainas të grumbulluar në punishten gjigante të çelikut në Mariupol, Azovstal.

Gratë dhe fëmijët që thuhet se po qëndrojnë në bunkeret nëntokësorë të kompleksit të çelikut Azovstal në Mariupol të rrethuar, thanë në një video se donin të ktheheshin në shtëpitë dhe familjet e tyre.