Ekonomi Qeveria e pezullon nga BSH, Malaj: Tani do ta kem më të...

Qeveria e pezullon nga BSH, Malaj: Tani do ta kem më të lehtë të përballem me abuzuesit me pushtetin

Qeveria ka pezulluar Arben Malajn nga detyra e anëtarit të këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në një vendim të Këshillit të Ministrave, gjithashtu i është propozuar Kuvendit që Malaj, ish-ministër i financave në qeveritë e mëparshme socialiste, të shkarkohet nga kjo detyrë.

Në korrik të këtij viti, 28 deputetë të Partisë Socialiste ndërmorën një nismë për shkarkimin e tij nga posti që mban në Bankën e Shqipërisë, asokohe me pretendimin se Malaj ka shkelur etikën në prononcimet publike. Vetë zoti Malaj e quajti atë nismë një vendim politik.

Nuk ka vonuar edhe reagimi i zotit Malaj, i cili përmes një statusi në Facebook thotë se do ta ketë më të lehtë tani të përballet publikisht me abuzuesit me pushtetin.

“Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe inspiruar që vendit tim ta shërbej me dashuri, profesionalizëm dhe integritet. Sfidat më të paaftët dhe shpifësit i kam fituar përherë moralisht dhe ligjërisht. Asnjë karrige ministrore apo partiake nuk më ka penguar në angazhimet e mia profesionale, shkencore dhe politike”, shkruan Malaj.