Politika Rama, apel qytetarëve: Kurseni se nuk jeni me pushime, lufta nuk dihet...

Rama, apel qytetarëve: Kurseni se nuk jeni me pushime, lufta nuk dihet sa do zgjasë

Kryeministri Edi Rama i bëri apel qytetareve që të kursejnë gjatë kohës që qëndrojnë në shtëpi si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë kreu i qeverisë premtoi se do të ketë një plan të detajuar financiar për këtë situatë dhe për më tepër për të mbuluar pagat e sektorit privat që nuk mund të punojnë për shkak të aktit normativ që ka nxjerr këshilli i ministrave.

“Të gjithë do të ulim shpenzimet e zakonshme dhe do të ndryshojmë planin e ekonomisë sonë familjare përkohësisht. Nuk mund të rrimë këtë javë në shtëpi si në pushime të detyruara, që meqë nuk na lënë të dalim hamë dhe pimë si zakonisht ndërkohë që shumëkujt duhet ti gjendemi dhe të sigurohemi që të mos mbetet pa ngrënë asgjë nëse nuk shkon të punojë për shumë ditë. Kjo nuk do të thotë se ata që kanë për të marrë një rrogë në fund të marsit në ato hallka të ekonomisë që janë këputur përkohësisht ne do ti lëmë në dorë të pronarëve të sipërmarrjes private. Shumë shpejt, brenda kësaj jave do të kemi gati planin e garancisë financiare për pagat e të gjithë atyre ndër ju që ju përgjigjët thirrjes për luftë duke lënë punën për tu futur në llogoren e shtëpisë suaj”.

Pasi arsyetoi edhe një herë tjetër masat drastike për penalitetet mbi këmbësoret që lëvizin pas orës 18:00 në të gjithë vendin, Rama ripohoi se lufta me këtë virus të panjohur nuk dihet sesa do të zgjasë.

Megjithatë përkundër gjithçkaje, Rama shtoi se kjo situatë nuk do të ndikojë aspak tek procesi i rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Korona pa korona ne do të nisim ndërtimin e shtëpive, spitaleve, shkollave sapo korona të shporret nga shtëpia jonë e përbashkët”, tha Rama.