Aktualitet Përplasja tek “Petro Nini”, rikthehet në detyrë efektivja e Shqiponjave

Përplasja tek “Petro Nini”, rikthehet në detyrë efektivja e Shqiponjave

Një ditë pasi i thanë se u pezullua nga detyra për shkak të përplasjeve të banorëve, policisë dhe përmbarimit tek ndërtesa te “Petro Nini”, sot, efektivja e repartit Shqiponja që jeton në këtë banesë me një kalvar gjyqësor për pronësinë, është rikthyer në punë.

Dje, drejtuesit e policisë së Tiranës, i komunikuan gojarisht urdhrin e pezullimit me motivacionin se ka penguar punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës.

Por nisur edhe nga ndjeshmëria që prodhoi ky lajm, faktin që efektivja në shumë raste u mundua të qetësojë edhe situatat që mund të shpërthenin në dhunë mes banorëve dhe përmbarimit, sot drejtuesi i saj i ka komunikuar se Blerta Dervishi do të vijojë të jetë punonjëse e policisë pranë Repartit “Shqiponja” në Policinë e Tiranës.

Ajo banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën tek ‘Petro Nini’, ndërsa dy ditë më parë Përmbarimi shkoi pranë tyre për t’i nxjerrë jashtë, pasi tokës ku është ndërtuar banesa i ka dalë pronari.

Blerta Dervishi dhe banorët e tjerë nuk pranuan të dalin nga banesa duke shkaktuar përplasje të forta me përmbaruesit.