Politika Rama e Kurti bashkë në Londër, mungon Vuçiç, por do të jetë...

Rama e Kurti bashkë në Londër, mungon Vuçiç, por do të jetë Ana Brnabiç

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Londër në samitin e radhës të thirrur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH njofton se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar si Edi Rama, ashtu edhe Albin Kurti.

Ndërkohë, Serbia në këtë samit do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Brnabiç dhe jo nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic, kryeministri i qeverisë tranzitore në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski dhe Zoran Tegetlija për Bosnje-Hercegovinën.

BERZH thotë se synimi i samitit është të theksojë dhe zbulojë potencialin investues dhe të të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor dhe të nxisë projektet e përbashkëta rajonale.

“Si një investitor lider në rajon po shikojmë përpara në samitin e katërt me Ballkanin Perëndimor. BERZH e shesh Ballkanin Perëndimor si një prioritet dhe objektivi ynë është që të çlirojmë të gjithë potencialin e rajonit duke mbështetur rritjen ekonomike dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Europian”, thotë Presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti.

BERZH është institucioni me investimet më të mëdha në rajon. Banka përllogarit se shuma ndër vite është rreth 13 miliardë euro, ku pjesa më e madhe e tyre janë përthithur nga Serbia.