Ekonomi Rama, kritikëve të Eurobondit: Tregjet besojnë te libri i llogarive të Shqipërisë

Rama, kritikëve të Eurobondit: Tregjet besojnë te libri i llogarive të Shqipërisë

Për të gjithë kritikët e qeverisë lidhur me Eurobondin, kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje përmes një shënimi të lënë në Twitter, teksa shprehet se Shqipëria ka arritur rezultate të suksesshme ekonomike në vlerësim nga tregjet e kapitaleve, edhe pse në një periudhë shumë të vështirë.

“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj”, shkruan Rama.

Sakaq, kreu i ekzekutivit shton se sukseset e Shqipërisë i konsideron shpulla për ata që ai thotë se nuk dinë të gëzojnë për asnjë të mirë të vendit.

“Meqë këta nuk dinë t’i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi dhe meqë unë nuk i konsideroj shpulla për ta sukseset e Shqipërisë, u them se doni s’doni ju, edhe tregjet e thanë sot se ky vend që s’u thye nga tërmeti e s’u gjunjëzua nga Covidi, do dalë më i fortë nga të dyja”.

Nuk e ka kursyer as ironinë, ndërsa kujton lapsusin e Lulzim Bashës, “7×7=42”.

“Dhe natyrisht, kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet! Ah po, se mos harroj, meqë është në modë krahasimi me vendet përreth, le t’i marrin e t’i krahasojnë tani përgjigjet e tregjeve për secilin prej vendeve,që së fundi kanë dalë për Eurobondin në kërkim të financimit të ekonomive postCovid! E di e di, të fundit dalil prapë, 7×7=42”.