Politika Rama në Laç u kërkon banorëve të dalin nga pallati i dëmtuar:...

Rama në Laç u kërkon banorëve të dalin nga pallati i dëmtuar: Pse rrini aty? Ju nxjerrim ne, mos kini merak

Paraditen e kësaj të shtune, kryeministri Edi Rama ka shkuar në Laç për të parë nga afër dëmet që kanë pësuar ndërtesat në këtë qytet nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Gjatë ecjes drejt spitalit, Kryeministri Rama ka parë disa banorë që vazhdonin të qëndronin brenda një pallati të pabanueshëm që ka pësuar dëmtime nga lëkundjet sizmike.

Shefi i qeverisë ka folur në distancë me një prej banoreve që vazhdonte të qëndronte në shtëpinë e saj, duke i kërkuar zonjës që të largohej nga pallati dhe të shkonte në Bashki për të marrë bonusin e qirasë.

Kryeministri Edi Rama: Pse rrini aty? Apo për qejf?

Banorja: Ku të shkojmë?

Kryeministri Edi Rama: Të shkoni aty ku ju kemi thënë ne.

Banorja: Kemi ikur po nuk ka vende?

Kryeministri Edi Rama: Ku s’ka vende?

Banorja: Aty…

Kryeministri Edi Rama: Të merrni bonusin e qirasë dhe të shkoni me qira atje.

Banorja: Po nuk e kemi aplikuar.

Kryeministri Edi Rama: Po pra, ta merrni. Edhe mos rrini aty. Hajt se ju nxjerrim ne mos kini merak… Duhet me i nxjerr me zor këta, ç’është kjo histori, muhabet kot. Shkoni merrini me polici, nxirrini jashtë dhe jepini bonusin e qirasë.