Opinione Borisi fitoi, por humbi Britania e Madhe

Borisi fitoi, por humbi Britania e Madhe

Boris Johnsoni dhe e dashura e tij, Carrie Symonds përshëndesin në mëngjesin pas zgjedhjeve

Kjo ishte më shumë një garë jopopullariteti sesa një zgjedhje. Rezultati i këtyre zgjedhjeve përcakton rolin e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar në botë.

Nga Robert Mudge*

Epo, të gjithë e prisnim që të ndodhte, apo jo?

Vetëm për ta parë në perspektivë: herën e fundit që konservatorët arritën një fitore kaq dërrmuese ishte në vitin 1987 nën Margeret Thatcherin. Ajo që e vërviti me aq gëzim çantën e saj kundër BE-së, duke thënë: “Dua të më kthehen paratë e mia”.

Këtë herë qe një shprehje me tre fjalë: “Jepi fund Brexitit”. Përveç rrethanës se ai nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë në një të ardhme të parashikueshme.

A është kjo një shprehje e kohëve që jetojmë, e gënjeshtrave, premtimeve që nuk mbahen, racizmit thuajse të pafshehur? Arsimi, krimi, mungesa e strehimit dhe një Shërbim Kombëtar i Shëndetit që po vdes – asnjë prej tyre nuk ka rëndësi kur ulesh në timonin e një eskavatori dhe çan me të një mur kartoni dhe kur me këtë arrin të tërheqësh më shumë vëmendjen e elektoratit.

Boris Johnson adoptoi pothuajse çdo mashtrim nga libri i skenareve të Donald Trumpit. Dhe askush nuk lëvizi as qepallën. Ai do të vazhdojë t’i grahë gënjeshtrës se dalja e Britanisë së Madhe nga BE do të jetë e lehtë dhe e shpejtë dhe se një marrëveshje tregtare do të jetë në fuqi deri në fund të periudhës së tranzicionit, në dhjetor të vitit 2020. Vetëm sa për kujtesë: BE dhe Kanadasë iu deshën 10 vjet për ta përfunduar marrëveshjen e tyre tregtare.

Laburistët e dërrmuar

Po për laburistët, çfarë vajti ters? Përgjigja për këtë është e thjeshtë: ajo duhet kërkuar te Jeremy Corbyn-i. A ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë udhëheqës më i përçmuar dhe përçarës laburist? A mendoi ai me të vërtetë se do të arrinte një sukses tjetër si në zgjedhjet e vitit 2017, kur arriti të parandalojë një shumicë konservatore nën Theresa May?

Corbyn-i tani nuk do të ketë alternativë tjetër veçse të tërhiqet, si një shërbim të fundit për partinë e tij. Ai tashmë ka thënë se nuk do të udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme. Diçka që ai duhet ta kishte diskutuar ndoshta për këto zgjedhje.

Në mënyrë dërrmuese, laburistët humbën kështjellat e tyre tradicionale – të ashtuquajturat mure të kuq – te konservatorët: zona të mëdha të Anglisë veriore pasindustriale, ku shkurtimet e fondeve nga konservatorët kanë gjymtuar shoqërinë dhe ekonominë, duke e bërë të varfërin edhe më të varfër.

Partia e Corbyn-it po fajëson për rezultatin e zgjedhjeve lodhjen nga Brexit-i. Ata ia bëjnë vetes shumë të lehtë, pavarësisht faktit se paqartësia e udhëheqësit të tyre për këtë çështje nuk ndihmoi. Kjo parti është dërrmuar dhe po ecën drejt harresës si socialdemokratët këtu në Gjermani.

Ajo që të dëshpëron, është se kjo ishte më shumë një garë jopopullariteti sesa një zgjedhje – dhe Johnsoni arriti të fitojë sfidën. A e pret ndokush vërtet që ai të përmbushë premtimet e tij? Zor se, por votuesit u shqetësuan më shumë për premtimet e bëra nga Corbyni.

Jo më bashkim?

Ajo që të dhëmb më shumë, megjithatë, është dëmi i pariparueshëm që do të ketë ky rezultat në një vend tashmë thellësisht të ndarë dhe të polarizuar. Mbretëri e çbashkuar? Skocia duket se i ka kushtuar vëmendje thirrjes së lideres së Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) për të marrë përsëri kontrollin, me SNP që parashikohet të fitojë 55 nga 59 vendet parlamentare të vendit. Do të kemi një shtysë masive për një referendum të dytë për pavarësi.

Qeveria konservatore natyrisht do ta kundërshtojë një veprim të tillë. Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon megjithatë ka thënë se Johnsoni nuk ka mandat për ta nxjerrë vendin e saj nga BE. A do të kërkojnë nacionalistët irlandezë, që kanë fituar për herë të parë më shumë vota sesa unionistët pro-britanikë të kërkojnë në një votim shkëputje nga Britania e Madhe?

Rezultati i këtyre zgjedhjeve përcakton rolin e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar në botë. Ai shënon edhe një transformim masiv të politikës britanike që do të ndihet në të gjithë vendin për vitet e ardhshme.

*DW