Duke shfrytëzuar prezencën e liderëve nga e gjithë bota, por në mënyrë të veçantë Serbisë, kryeministri Rama në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka kërkuar njohjen njëherë e mirë të pavarësisë së Kosovës.
Kosova e pavarur, tha Rama, është një realitet i pakthyeshëm. Ai i kërkoi Serbisë të mos jetojë më me mohim, por të bëjë histori për veten e saj dhe për botën duke ardhur në realitet.
Rama: Pavarësisht klimës së bashkëpunimit rajonal që është përmirësuar në mënyrë domethënëse, mosmarrëveshja e hapur mes Serbisë dhe Kosovës pengon potencialin e zhvillimit të të gjithë rajonit. Pavarësisht problemeve me të cilat demokraci të reja si Kosova përballen më mënyrë të natyrshme, është më shumë se qartë se për më shumë se një dekadë qysh prej deklarimit të pavarësisë së saj, Republika e Kosovës ka arritur të ndërtojë një demokraci mjaft të gjallë, e ka provuar veten si një partnere e besueshme në rajon dhe nuk është lëkundur asnjëherë nga angazhimi i saj euroatlantik. Ka ardhur koha që të gjitha vendet e kësaj Asambleje, sidomos e së pari miqtë tanë serbë të njohin pavarësinë e Kosovës për ti dhënë hakun historisë dhe për të njohur realitetin si e vetmja bazë e fortë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë. E dashur Serbi, Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, kështu që mos jetoni më me mohim dhe bëni histori për veten tuaj dhe për botën duke ardhur në realitet.