Kryesore Rama nga Sllovakia: Ushtria serbe në kufi të Kosovës ka fuqi të...

Rama nga Sllovakia: Ushtria serbe në kufi të Kosovës ka fuqi të barabartë me zero!

Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, kryeministri Edi Rama është pyetur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Rama theksoi se ushtria serbe në kufi të Kosovës e ka fuqinë të barabartë me 0.

Ai bëri një krahasim duke thënë se është njësoj “si ushtria e Meksikës të afrohet në kufirin e SHBA-ve”.

Pyetje: Mendoj se është pak e fortë, por pyetje e mirë sepse përmend tensionet aktuale në Kosovë. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Edi Rama: Jo, jo, po përqendrohesha te ajo që shkruhej “ushtria serbe në kufi”. Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me 0! Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë do të bëhej?! Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën! Po çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Bini dakord zoti Kovaçevski me këtë qëndrim?

Kovaçevski: Gjej ndonjë vend tjetër, jo Meksikën! (Të qeshura) Është njësoj si ushtria kubane të shkojë në Florida. Dalja e vetme nga kjo situatë është zbatimi i marrëveshjes mes shteteve në mënyrë që të ketë normalizim.

***

Rama: Ky konflikt ka një arsye, Kosova dhe Serbia po hezitojnë për njohjen reciproke

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bratislavë të Sllovakisë atje ku po zhvillohet Forumi i Sigurisë.

Veç situatës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo fondeve të BE-së, Rama u ndal disa herë dhe te situata e krijuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova janë në prag të një marrëveshjeje historike që ka të bëjë me njohjen reciproke të shteteve. E pikërisht kjo gjë, thekson kreu i qeverisë është arsyeja që prodhon situata të tilla. Dy vendet hezitojnë, shtoi ai sepse janë mësuar duke qenë palë armiqësore.

“Le t’i marrim gjërat në perspektivë pikësëpari, për fat të keq përpara se të vijë vera kemi gjithmonë problem në veriun e Kosovës, nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse Kosova dhe Serbia nuk kanë det edhe kokat nxehen. Por, ku ishim 20 vjet më parë? Ku ishim 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë, sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e tij më të mirë edhe midis Kosovës dhe Serbisë gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg përmbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojnë që kjo do të realizohet dhe nuk do t’ju duhet më ta luftojnë njëri-tjetrin. Ndoshta kjo shkon kundër inercisë së tyre të nevojës për të luftuar, të të jetuarit për të luftuar. Kjo është perspektiva, është më mirë se në çdo kohë! Tani, ky konflikt aty ka një arsye e cila në këndvështrimin tim mund të ishte shmangur krejtësisht sepse në këndvështrimin tim nuk është tregues i problemeve konkrete. Kryetarët e këtyre komunave të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar dhe ndihen të papërfaqësuar, por thelbi është ka një marrëveshje që duhet përmbyllur. Njohja reciproke, që është diçka e jashtëzakonshme. Dhe ka një hezitim për të arritur këtë marrëveshje që prodhon këto situata”, u shpreh Rama.

Në këtë forum është i pranishëm dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti