Kryeministri Edi Rama është nisur për në Bruksel, ku tha se do të takohet bashkë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me liderët socialistë europianë.
“Po nisem për Bruksel bashkë me Kryeministrin Zaev, për të takuar kryeministrat e partive socialiste e progresiste të BE, në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane, në funksion të nevojës për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërm”, tha Rama në një tjetër videomesazh postuar në Facebook.
Ai tha se po sot, kancelarja gjermane dhe Presidenti i Francës do të takohen në kuadër të samitit franko-gjerman. “Një nga temat do të jetë edhe vendimmarrja e Këshillit Europian, ku do të jepet edhe vendimi final për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja Merkel dhe Gjermania po përpiqen intensivisht për një “po” për të dyja vendet, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe i Francës nuk përkon për momentin të paktën me atë të Gjermanisë dhe shumicës dërrmuese të vendeve anëtare. Nuk jam optimist e as pesimist, por pak por e sigurt është se edhe Franca e njeh dhe e vlerëson procesin e bërë”, shtoi Rama.