Kryesore Rama: Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen dhe as të bëj zgjedhje...

Rama: Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen dhe as të bëj zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të papritur të djeshëm të Lulzim Bashës për t’i kërkuar grupit parlamentar të djathtë djegien e mandateve.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere Della Sera”, kreu i qeverisë thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Demonstrata e së shtunës dhe sulmi në ndërtesën e qeverisë janë pasqyruar në të gjithë botën. Çfarë po ndodh atëherë në Shqipëri?

Rama: Asgjë nuk po ndodh. Nëse ka ndonjë gjë, është një krizë e thellë e opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo pakicë është më e dobët se në zgjedhjet e vitit 2017: nëse do të votonim nesër do të merrnin më pak vota.

Por opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike ka akuza shumë të rënda ndaj jush për mashtrim zgjedhor, korrupsion. Ai thotë se ju jeni i lidhur me krimin e organizuar.

Rama: As nuk i përgjigjem këtyre akuzave. Unë jam i shqetësuar vetëm sepse kjo politikë e hedhjes së baltës nuk i ndihmon ata dhe as vendin. Shpresoj që sa më shpejt që të jetë e mundur të vënë arsyen mbi këtë dëshpërim.

Opozita bën thirrje për dorëheqjen e tuaj. Çfarë do të bëni?

Rama: As nuk e mendoj. Kam pasur një mandat të qartë nga populli, kemi një shumicë të qartë në Parlament dhe në fund kam një detyrim ndaj qytetarëve të mi. Unë nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e pakicës parlamentare. Detyrimi i vetëm është kontrata me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur.

Pra, pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe të huaj nuk duhet të kenë frikë nga asgjë?

Rama: “Jo. E vetmja gjë që ka bërë protesta e opozitës ishte t’i japë Shqipërisë një imazh negativ me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. Pasoja e vetme konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë që e kisha instaluar në oborrin e ndërtesës së qeverisë”.