Ekonomi Rama: Nuk kemi mungesë njerëzish, por mungesë kualifikimi

Rama: Nuk kemi mungesë njerëzish, por mungesë kualifikimi

Kryeministri Edi Rama tha sot se nevoja për krah të kualifikuar pune është sfida me të cilën po përballet Europa sot.

“Arsimi profesional dhe nevoja për krah të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe patjetër ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte e cila ka nisur edhe intensiteti i të cilës po rritet progresivisht në gjithë Europën. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies demografike të Europës e cila na vë ne dhe vendet si ne këtu në Europë përballë një sfide të dyfishtë. Nga njëra anë rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’ju përgjigjur nevojave të një tregu gjithmonë e më kërkues për krah dhe nga ana tjetër përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar. Rritja e pagave është patjetër A-ja për të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin e një vetëdije që kapitali njerëzor i një ndërmarrje, biznesi, nuk është i fundit siç është trajtuar nga sipërmarrja për vite të tëra por është i pari”, tha Rama në konferencën për arsimin dhe formimin profesional.

Kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për rolin që duhet të luajnë ndërmarrjet apo bizneset private në Shqipëri.

Rama mori si shembull sektorin e turizmit, që së fundmi ka njohur rritje të ndjeshme në Shqipëri dhe konsiderohet si industri e re.

Në këtë aspekt, Kryeministri u shpreh se vendi ynë nuk përballet ende me mungesë të kapitalit njerëzor, por përballet me mungesë të profesionistëve dhe krahut të kualifikuar të punës.

“Dhe një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie por çështje domosdoshmërie. Është mundësia për të ndërtuar një dialog të strukturuar me ndërmarrjen për nevojën e kontributit të drejtpërdrejt të kompanive në rritjen e kapaciteteve të shtetit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë e nevojshme për tregun në mënyrë që tregu të mos krijojë vende të lira pune që mbeten bosh jo më për shkak të kapaciteteve paguese, por për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuar.

Dhe sot ne jemi përpara një fakti shumë kokëfortë posaçërisht në industrinë e turizmit që është një industri e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi që po rrit me shpejtësi ambicien, dëshirën e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi i Shqipërisë në sytë e botës si një destinacion turistik për t’u vizituar.

Të gjitha komplekset apo strukturat hoteliere kanë jo vetëm paga të pakrahasueshme me 3-4 vite më parë por kanë edhe gatishmërinë për të paguar më shumë për të plotësuar nevojat e tyre. Dhe problemin e kanë tek kapitali njerëzor.

Kjo shkon ende në kundërshti me faktin që ne nuk kemi për momentin mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, nuk kemi mungesë të rinjsh, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësite për të cilat ai vend ka nevojë. Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektrorin publik, që nga qeveria, nga niveli qëndror, te bashkitë, shkollat profesionale, shtetërore ose private. Është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim të pashmangshëm, mbi nevojën e bashkërendimit të forcave, mbi nevojën e investimit të përbashkët me kushte të qarta, me përfitim reciprok që të punësojmë me paga dinjizote forca pune dhe për sipërmarrjet që të ketë forca pune që i paguan me paga dinjitoze”, u shpreh Rama.