Ekonomi Rama: Paga mesatare 900 euro në harkun e një viti. Çfarë do...

Rama: Paga mesatare 900 euro në harkun e një viti. Çfarë do të ndodhë me privatin

Kryeministri Edi Rama u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se paga mesatare do të shkojë në 900 Euro në Shqipëri. Kjo do të realizohet në harkun e një viti. Në deklaratën e bërë para gazetarëve, kreu i qeverisë tha se kjo është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes së tij.

“Dola sot këtu sepse është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes sime. Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e 1 viti paga mesatare në Shqipëri do të shkojë nga 563 Euro që është sot, në 900 euro. Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra, për të ardhur në ditën që ta krijojmë mundësinë për shtëpinë e përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku edhe me shumë të drejtë familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë se sa çdo gjë tjetër në arkën e buxheteve të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ekonomia e Shqipërisë është e qëndrueshme dhe ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj.

“Konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj pavarësisht të gjitha, peripecive , pengesave dhe goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë në vazhdën e disa krizave të njëpasnjëshme. Ia kemi dalë jo vetëm të rezistojmë, jo vetëm të adresojmë plagë”, u shpreh Rama.

I pyetur se çfarë efekti do të ketë në buxhet kjo rritje Rama tha: “Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm, por plotësisht të përballueshëm”.

Rama rendit rritjen e pagave për një sërë profesionesh: Reforma do zhvillohet në dy hapa

Edi Rama ka komunikuar rritjen e pagave për një sërë profesionesh. Sipas Ramës kjo reformë e qeverisë do zhvillohet në dy hapa.

Faza e parë është tani me rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit në sektorin e sigurisë, mjekët dhe infermierët thotë kreu i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër do paguhen më shumë vitin e ardhshëm.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në  administratën qëndrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm se paga e tyre do shkojë mbi 100 mijë lekë, apo në arsimin bazë nga 74 mijë në 95 mijë. Këto janë shifra bazë pastaj kohëzgjatja në detyrë, vjetërsia e punës dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë dhe më mirë se sa ç’duhej nga niveli bazë.

Është koha për rritje të konsiderueshme të pagës së pedagogëve në universitete me 20% duke u dhënë diskrecion që të shkojnë në 30%. Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermierëve që do kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë sipas pozicioneve në punë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh. Në mënyrë të ndjeshme kemi rritur pagat për Forcat e Armatosura dhe për gjithë sistemin e sigurisë dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrëfikësit të cilët janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë duke qenë se zjarret janë gjithmonë e më të pranishme për shkak të ndryshimeve klimatike, kemi rritur pagën e zjarrfikësve dhe dhe do e çojmë deri në 80 mijë lekë.

E gjitha kjo do bëhet në dy hapa. Hapi i parë do jetë tani me mësuesit, sigurinë, mjekët dhe infermierët menjëherë  dhe ky hap i parë do të jetë për gjithë të tjerët pasi Parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do jetë vitin e ardhshëm kur do bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash në Republikën e Shqipërisë dhe do mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”, deklaroi Rama.

Rritja e pagave, Rama: Shikojmë shenja pozitive nga privati, do të marrim masa të tjera

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme se paga mesatare në Shqipëri do të shkojë 900 Euro në harkun e një viti. Ai theksoi se kjo reformë do të realizohet në dy hapa. Faza e parë është tani me rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit në sektorin e sigurisë, mjekët dhe infermierët. Ndërsa kreu i qeverisë thekson se pjesa tjetër do të paguhet më shumë vitin e ardhshëm.

Megjithatë projektligji prek vetëm sektorin publik. Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Rama u pyet nga gazetarët se si do të nxitet edhe sektori privat për të rritur pagat. Kryeministri u shpreh se ky është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik do të detyrojë edhe atë privat të bëjë të njëjtën gjë për shkak të burimeve njerëzore.

Ai theksoi se pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi ndërsa shtoi se aktualisht ka një proces komunikimi me sipërmarrjen private për t’i sensibilizuar ata për domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor. Kreu i qeverisë u shpreh optimist dhe tha se shikon shenja pozitive nga sipërmarrja private. Megjithatë, njoftoi se qeveria do të marrë masa të tjera, të cilat po i koncepton.

“Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër edhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo, sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat. Gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale që e rritëm jashtë edhe parashikimit elektoral, jo vetëm tonit, por edhe partive që e dinë që nuk do vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilat asnjëherë nuk do japin llogari. Dhe faktikisht sot jemi në një situatë ku kemi filluar një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor, në kushtet kur kjo botë është bërë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune, të kualifikuar ose jo. Në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjitha vendet e zhvilluara. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja pozitive nga sipërmarrja private. Ne do të marrim masa të tjera. Jemi duke i konceptuar. Për ne nuk është thjesht çështje rritje page, por mbrojtje e punonjësve dhe e punëtorëve nga shfrytëzimi. Ka pasur një periudhë kohe kur kjo ka qenë pjesë e natyrshme e një zhvillimi të caktuar. Ne e kemi filluar këtë punë me të ardhura për frymë 3200 Euro mos gabohem dhe sot jemi mbi 6 mijë euro të ardhura për frymë. Dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i këtyre reformave. Është një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më”, tha Rama.

Sipas Ramës, sipërmarrja private duhet të vihet në alarm dhe të ndryshojë qasjen. Ai theksoi se shqiptaria është në një fazë të re ekonomike dhe sociale.

“Këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasjen. Këto janë sfida të një kohe të re. Shqipëria është në një kohë të re ekonomike dhe sociale. Sot unë jam shumë i kënaqur që ia kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel që është në mesataren e lartë të rajonit tonë dhe sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur, por jemi thjesht të kënaqur. Kjo është dita e rritjes së pagave, të gjitha storiet e tjera që duhen për të ushqyer audienca të talebanizuara ka plot ditë të tjera”, tha Rama.