Politika Çështja Becchetti, Rama: Vendimi i Arbitrazhit skandaloz! Po shikojmë mundësinë e daljes...

Çështja Becchetti, Rama: Vendimi i Arbitrazhit skandaloz! Po shikojmë mundësinë e daljes nga juridiksioni i asaj gjykate

Vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, në favor të Francesco Becchetti-t, kryeministri Edi Rama e cilëson skandaloz. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se që javën e ardhshme, Shqipëria “do të hapë probleme të mëdha” me këtë gjykatë, ndërsa shtoi se po analizohet edhe mundësia për të dalë fare nga juridiksioni i saj. Kreu i qeverisë theksoi se shteti shqiptar nuk ka paguar asnjë qindarkë dhe se beteja me biznesmenin italian do të vijojë deri në fund.

Pyetje: A ka pasur ndonjëherë bllokim të llogarive të Albkontrollit në Bruksel dhe a mendoni se në rast se nuk ka pasur, do të ketë një bllokim të tillë për sa kohë që gjoba që Becchetti i ka vënë shtetit shqiptar, që ka fituar në Arbitrazh vazhdon të jetë në fuqi?

Edi Rama: Së pari meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqa e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë ka një lajm të kësaj natyre, në vend se të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrin të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila madje po analizojmë dhe mundësinë e daljes fare nga ai juridiksion, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur. Por ajo që ka rëndësi sot, për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja dy vjetësh që Shqipëria i ka paguar ato para. Po këta njerëz kanë shpërndarë edhe fletëpalosje në makina në bulevard dhe poshtë dyerve, që ikën 100 milionë. Dhe ja që këta 100 milionë nuk paskan ikur pra dhe ju tani po bëni pyetjen a janë bllokuar a s’janë bllokuar, domethënë që s’janë fare, gjëkundi në xhepin e atij ‘mashtros’. Edhe mendoj që ky është momenti që t’i kërkoni falje shqiptarëve që i keni gënjyer për kaq shumë kohë duke i thënë të kundërtën. Sa i përket luftës me të, pa asnjë diskutim ne e bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund, edhe pa këtë soj të prishur shqiptarët.

Shqipëria deri më sot nuk ka paguar asnjë kokërr leku. Sepse është një botë shumë e komplikuar e me shumë procedura dhe po bëhemi gjithnjë e më të aftë për ta përballuar presionin dhe gjithë ndërveprimet dhe përplasjet në atë botë, ku edhe ‘mashtrot’ si puna e këtij kriminelit që u dënua këtu 17 vjet arrijnë të penetrojnë ndonjëherë. Dhe e bëjnë jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me institucione të mëdha ndërkombëtare, qofshin financiare ose jo.