Kryesore Rama paralajmëron: Politikanët që kanë bërë zarare, para drejtësisë

Rama paralajmëron: Politikanët që kanë bërë zarare, para drejtësisë

Kryeministri Edi Rama premtoi çuarjen deri në fund të reformës në drejtësi, duke garantuar se do të jetë ajo që do të merret me cilindo person, politikan apo zyrtar të lartë që ka haraçe për të paguar me drejtësinë.

Në fjalën që mbajti në Samitin e dytë të Diasporës në Tiranë, shefi i qeverisë nënvizoi faktin se tanimë ka ikur koha kur drejtësinë e caktonte partia.

“Sot na duhet që të vijojmë të ecim në rrugën që kemi nisur, sepse po flasim për shtet bërje dhe jo për të ngrënë darkë e pirë raki.

Ne do të flasim për luftën më të madhe, të vërtetë, që i është hapur korrupsionit në Shqipëri. Po si luftohet korrupsioni? Kjo luftohet duke ndërtuar një sistem drejtësi, që t’i ndjekë atë këmba këmbës.

Gjyqtarët dhe prokurorët e kanë mbajtur Shqipërinë si pronë private dhe pronat e shqiptarëve i kanë bërë lesh e li. Hap pas hapi po ndërtohet drejtësia, duke larguar llumin nga sistemi i drejtësisë.

Asnjë shqiptar nuk do të këtë paqe, deri ditën që do të shoh politikanë dhe vendimmarrësit, që kanë bërë punë dhe pazare të paraqiten para drejtësisë. Koha kur drejtësinë e bënte partia ka vdekur në vitin 1990. Kjo është koha për të ndërtuar një sitëm drejtësie ashtu si nga vendet nga ku ju keni ardhur”, tha Rama.