Politika Rama për “La Stampa-n”: Fati i Shqipërisë është në BE, pengesat vijnë...

Rama për “La Stampa-n”: Fati i Shqipërisë është në BE, pengesat vijnë nga Brukseli

Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” nga Firence, ku ishte dje për të marrë pjesë në konferencën online me temë “Europa një botë që po ndryshon”.

Në këtë intervistë, Rama tha se “është më e thjeshtë të parashikosh që Sassuolo do të shpallet kampione e Italisë, për të mos përmendur një emër të madh si Juventusi, që tani po vuan, sesa të vësh një bast për të ardhmen e Europës. Por, sigurisht, BE-ja është një krijesë e ende e papërfunduar, ajo është ende një punë për t’u mbaruar”.

Gazetarja Letizia Tortello, pasi i kujton eksodin e shqiptarëve drejt Italisë 30 vjet më parë, e pyet Ramën nëse është fati i Shqipërisë të bashkohet me BE-në.

”Ne e shikojmë Italinë si Shqipërinë e së nesërmes. Për ne Europa është një fe dhe nuk ka asnjë zonë tjetër të ndikimit në fatin tonë europian, të cilin e kemi pritur me shekuj. Para vitit 1990 nuk mund ta ëndërronim. Tani, ne mund ta zgjedhim atë. Populli ynë ndihet europian. Për fat të keq, kriza e refugjatëve ka ndryshuar BE-në për keq dhe tani Brukseli vazhdon të shtyjë negociatat, pasi vendimi është marrë, për shkak të oportunizmit nacionalist dhe egoist të disa vendeve.”– thotë Rama.

Gazetarja i kujton Ramës reformat e papërfunduara kundër korrupsionit, spastrimin e parealizuar dhe për lirinë e Medias.

”Ne jemi duke bërë detyrat e shtëpisë. Reforma në drejtësi është një proces për t’u duartrokitur, ne jemi në gjysmën e punës. Ju nuk mund të kërkoni nga një atlet që të bëjë një operacion, të shërohet dhe pastaj t’i vrapojë 100 metrat në të njëjtën kohë. Rregullat europiane janë një makinë vdekjeprurëse që vlerëson kufij që shpesh nuk do të kënaqnin as shtetet anëtare. Nëse Zvicra ose Italia do të quheshin Shqipëri ose Kosovë, mbase nuk do të lejoheshin të futeshin në Europë sot duke pasur parasysh korrupsionin dhe reformat që do të zbatoheshin”, thotë Rama.

Pyetur nëse po akuzon Bashkimin Europian për vënie pengesash, Rama thotë: “Unë them se kjo histori është paksa qesharake, që ne kurrë nuk qenkemi gati për bisedime paraprake për të filluar procesin e integrimit. Është shumë e lehtë dhe e përshtatshme të gjuajmë me gurë ndaj atyre që janë jashtë derës. Por, nuk ka asnjë fat tjetër për Shqipërinë përveç Europës. Kjo i shkon për shtat edhe Europës”.