Kryeministri Edi Rama ka folur nga seanca plenare e ditës së sotme, ku kanë hyrë për diskutim 5 projektligje të paketës Anti-KCK. Kryeministri tha se me Operacionin Forca e Ligjit është goditur në zemër krimi i organizuar, që sipas tij, është pasuria.
Kryeministri Edi Rama pranon nga foltorja se ka politikanë të lidhur me krimin por ndërkohë tha se qeveria që ai drejton përmes operacionit OFL, do i ‘fusë thikën në zemër’ krimit të organizuar.
Shefi i qeverisë akuzoi edhe disa analistë që sipas tij, flasin nëpër studio në emër të kriminelëve.
“E kemi tronditur krimin e organizuar. Janë aq të tronditur saqë dalin nëpër studio emra që mbrojnë krimin, për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, për njerëz që kanë shfrytëzuar vajza të familjeve të varfra duke bërë para me nderin e tyre. Për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve, dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjete të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, apo edhe nga drejtësia e lodhur shqiptare, dhe që kanë njollosur Shqipërinë dhe politikanët shqiptarë, që kurrë s’mund të pranojmë se jemi të gjithë njësoj. Ka politikanë të lidhur me krimin, pa dyshim, dhe janë ata që flasin më shumë sesi krimi është lidhur me politikën.
Ofensiva s’është lojë, është një operacion që fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar. Çuarja në burg e këtyre njerëzve, është njësoj si çuarja me studime pas-universitare e profesorëve. Në burg këta njerëz janë rehat, kanë lidhje deri në SHBA për të drejtuar nga burgu operacionet fitimprurëse. Burgu për ta nuk mjafton. Këta duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme, dhe do të bëhet e pamundur që me makina sfiduese të vërtiten lart e poshtë duke i bërë karshillëk shtetit”, u shpreh kryeministri.
Rama ka thënë se sot i vjen fundi pafuqisë ligjore pasi do ti jepet fuqi e re ILD të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatësve duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra. “Nuk mund të ketë një lojë si macja me miun ku hajdutët bërtasin kapni hajdutin dhe kriminelët bërtasin kapni kriminelin, ku publiku nuk di çfarë të besojë’, ka thënë Rama.
Sakaq kryeministri ka thënë se në studiot televizive ka njerëz të krimit të organizuar që bëjnë avokatin e kriminelëve, njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, duke shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra duke i çuar në rrugët e prostitucionit.
“Sot i vjen fundi pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj të gjithë atyre që do të përdorin. Sot i japin fuqi të re ILD duke i dhënë mundësi inspektorit të lartë të drejtësisë të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatëseve duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra.
Sot i japim ILD, KLP, KLD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë. Nuk mund të ketë një lojë si macja me miun ku hajdutët bërtasin kapni hajdutin dhe kriminelët bërtasin kapni kriminelin, ku publiku nuk di çfarë të besojë. E kemi tronditur krimin e organizuar me ofensivën e operacionit forca e ligjit.
E di mirë që në studio televizive ka njerëz të krimit të organizuar për të bërë avokatin e krimit të organizuar. Për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, për njerëz që kanë shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra duke i çuar në rrugët e prostitucionit, për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve duke futur drogë dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjete e trafikut ndërkombëtar e që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e lodhur shqiptare”, ka thënë Rama.