Kryesore Rama: Sot nuk do të futeshin dot në BE vende tashmë anëtare,...

Rama: Sot nuk do të futeshin dot në BE vende tashmë anëtare, që kanë dalë nga perandoria komuniste

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje kundërshtarëve politikë që të distancohen nga “nevoja e përditshme për të prodhuar sherr”, siç tha ai, ndërsa tha se procesi i integrimit europian ka ndryshuar aq sa edhe vendet tashmë anëtare, të dala nga ish-perandoria komuniste, nuk do të futeshin dot në BE.

“Është me rëndësi, që të gjithë të përpiqemi ta nxjerrim debatin për Europën dhe ecurinë tonë në raport me Europën, nga sherri i përditshëm dhe nevoja e përditshme për të prodhuar sherr, duke u përpjekur të fajësojmë njëri-tjetrin, duke gënjyer veten dhe shqiptarët, pasi çështja ësht shumë më e gjerë dhe thelbi është shumë më i thellë se sa ndërveprimi mes nesh dhe gjithë akuzave të ndërsjella për kush e ka fajin? Pse nuk po ndodh?”, tha Rama.

“Sot, cilido nga vendet e Bashkimit Europian që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin që të kërkonte të futej në BE, nuk do të futej dot. E madje vendet që ishin në BE para rënies së komunizmit nuk do të futeshin dot në BE, sepse BE sot është në një debat të brendshëm, i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin, por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në një pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur dhe atyre që predikojnë perspektivën e zgjerimit, por që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhet fare as me argumentet e përdorura këtu për politikë të brendshme, as me Shqipërinë apo Ballkanin perëndimor. Shqipëria sot, është shumë më gati, për të hapur negociatat, se sa kanë qenë të gjitha vendet e tjera për të hapur negociatat. Sepse, procesi për çuarjen drejt hapjes së negociatave është bërë shumë më kërkues. Pikëpyetja është sa dhe si, Franca do t’ia adresojë këtë kërkesë Shqipërisë. Shqipëria sot, në raport me momentin kur mori statusin e vendit kandidat, është ku e ku”, shtoi Kryeministri.