Politika Rama takon Juncer në Bruksel/ Fleckenstein flet për Shqipërinë në PE

Rama takon Juncer në Bruksel/ Fleckenstein flet për Shqipërinë në PE

Kryeministri Edi Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare në Bruksel, në krye të një delegacioni qeveritar. Gjatë kësaj vizite priten takime të rëndësishme me zyrtarë të Bashkimit Europian. Sipas axhendës së kësaj vizite të planifikuar dhe parashikuar më herët, pritet që kryeministri Rama të takohet sonte në orën 19.00 me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe më pas të dy të dalin në një konferencë shtypi.

Në Parlamentin Europian, ndërkaq po zhvillohet eventi  “Shqipëria dhe perspektiva e saj europiane” me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të kabinetit qeveritar, raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, në mbarim të mandatit si eurodeputet, si dhe eurodeputetes Monica Makovei. Fleckenstein ka deklaruar se është informuar me vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për çdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe reagimet e shumta lidhur me këtë vendim.

“Kam lexuar që Presidenti  është i shqetësuar për situatën dhe se ajo mund të dalë jashtë kontrollit. Ne duhet ta marrim këtë seriozisht edhe pse ne nuk na takon që të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë”, ka deklaruar Fleckenstein.

Ai është shprehur se Parlamenti Europian ka njohur progresin që ka bërë Shqipëria në reformat e integrimit dhe mirëpret progres-raportin e Komisionit Europian që rekomandon për herë të dytë  hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Por Fleckenstein vuri në pah, se fatkeqësisht disa shtete anëtare nuk ndajnë qëndrimin e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Fleckenstein i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të njohin progresin e bërë dhe të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.