Kryesore Rama zbulon mesazhin që i çoi Bashës në celular pas tërmetit

Rama zbulon mesazhin që i çoi Bashës në celular pas tërmetit

Në një intervistë për “Zona e Debatit” në Klan Kosova kryeministri Edi Rama ka zbuluar mesazhin që i ka çuar shefi tw opozitës, Lulzim Basha, pas tërmetit të 26 nëntorit, por shprehet se nuk mori përgjigje.

“I kam shkruar një mesazh Lulzim Bashës, jo publike, por në telefonin e tij. I kam thënë mendoj që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja, se në fund të fundit çfarë rëndësie kanë të gjitha të tjerat, kanë nevojë për ngushëllim dhe nga kush e presin? Nga ne. Kanë humbur shtëpitë, por nuk duhet të humbin sensin e përkatësisë në një vend ku nuk janë vetëm. Nuk kam marrë përgjigje.

I kam bërë edhe dy thirrje publike. Është e vërtetë, Lulzim Basha është përpjekur për të mos dalë i tepërt, por vetëm kaq. Mund të vinte jo për të bërë marrëveshje, por për të qenë përtej politikës. Por janë të tjerët që përpiqen të gjuajnë nga të katërta anët”, tha Rama.

Arrestimet

Kryeministri u shpreh se kush ndërton pa leje duhet të dënohet shumë fort, ndërsa kush merr leje dhe e shkel duhet të dënohet më fort. Ndërsa lidhur me arrestimet, Rama kritikoi mediat.

“Arrestimet i ka kërkuar media e para, që të nesërmen me çjerrje dhe grushte mbi tavolinë, por ky është proces që kërkon dokumentim dhe në mënyrë të padrejtë për të nxjerrë atë kunjën ku janë vërsulur ndërtimeve të reja dhe kullave. U bë gjithçka që ky është rezultati i boom-it të ndërtimeve.

Tre kategori janë me probleme; Kategoria e parë ata të viteve ’70 me punë vullnetare, e dyta janë ato pa leje individuale në zonat periferike, dhe ato të rejat pa mbikëqyrje, që kanë marrë një grup me mistri, një me llaç dhe më pas kanë shtuar katet pa leje. Po hetohet edhe për pallatet e reja të dëmtuara. 

Të fajësonim kohën kur Berisha udhëhiqe lumin e ndërtimtarëve pa leje, dhe predikonte Bathoren si mrekullinë e tetë të botës apo gjithë historitë e tjera që ndoqën njëra tjetrën, por nuk besoj se është e drejtë që të bëhet ky fajësim, pasi koha ishte e tillë. Kush ndërton pa leje duhet të dënohet shumë fort, kush merr leje dhe e shkel duhet të dënohet më fort”, tha Rama.