Politika Reagimi i ashpër amerikan, a është Meta ai që kërkon “të vrasë...

Reagimi i ashpër amerikan, a është Meta ai që kërkon “të vrasë pas krahëve” reformën në drejtësi?

Televizioni i Report Tv i Karlo Bolinos ka hedhur tezën se është presidenti Ilir Meta arsyeja e reagimit të ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranës.

Takimi me opozitën

Në njoftimin për mediat pas takimit të sotëm me opozitën, Presidenti deklaroi se “i informova për përpjekjet dhe propozimin e një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Këshilli Politik për të ndërhyrë në Reformën në Drejtësi.

Sipas burimeve të Report Tv, Ilir Meta kërkon ngritjen e një Këshilli Politik për të ndërhyrë në Reformën në Drejtësi.

“Ka disa institucione që duhet të ishin ndërtuar. Opozita është ajo që e votoi reformën në drejtësi, ndryshimet kushtetuese. Duhet parë nëse ka nevojë për amendime, sipas presidentit duhet një këshill politik me përfaqësues të pozitës dhe opozitës për të arritur në një mirëkuptim sepse ndryshimet kushtetuese nuk janë çështje të Edi Ramës, por të gjithë popullit, që ka edhe një opozitë që duhet të ketë zërin e vet. Ka shumë gjëra që nuk po ecin, duhet parë nëse duam gjyqësor për Edi Ramën apo për të gjithë qytetarët”, citon ky televizion një burim nga brenda mbledhjes.

Sipas këtij televizioni, një tjetër burim po nga tryeza e paradites së sotme shkoi më tej duke thënë se Presidenti Ilir Meta i tha Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij se këtë propozim me 11 pika, ku përfshinë Reformën në Drejtësi do ua shtronte edhe ndërkombëtarëve.

“Presidenti tha se kam një ide që do ua shtroj ndërkombëtarëve, që duhet një strukturë politike sikur është bërë për komisionin zgjedhor ku të përfshihet edhe opozita, pasi janë tema të përbashkëta. Që të përshpejtohet plotësimi i vakancave në drejtësi. Është detyrim i të gjitha palëve që politikat për integrimin duhet të kenë një konsensus. Sikur është një tryezë për të gjithë reformën, të gjitha kanë nevojë për një strukturë politike që të jetë edhe opozita”, tha një tjetër burim për Report Tv.

Reagimi amerikan

Reagimi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë ka qenë i menjëhershëm dhe i fortë. Fillimisht ishte vetë Kim që shkoi në Presidencë me urgjencë paraditen e sotme, por në mungesë të Presidentit që ishte me opozitën, zhvilloi një takim me këshilltarët e kreut të shtetit dhe më pas u largua pas porosive që la.

Disa orë më pas, pasdite ambasadorja e SHBA bëri një postim të ashpër duke i dërguar një mesazh të qartë dhe direkt Presidentit Ilir Meta dhe të gjithë atyre që janë pjesë e planit të tij. Ambasadorja e SHBA-së e cilëson këtë lëvizje si një sabotim të Reformës në Drejtësi .

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, deklaroi Kim.