Sport Real vuan ndaj Leipzig, por kualifikohet. City bën detyrën ndaj Copenhagen

Real vuan ndaj Leipzig, por kualifikohet. City bën detyrën ndaj Copenhagen

Real Madrid nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Leipzig në ndeshjen e kthimit, teksa kualifikimi erdhi falë rezultatit të përgjithshëm 2-1.

Në “Santiago Bernabeu” pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Pjesa e dytë ndryshoi totalisht “simfoninë” e ndeshjes, me skuadrat që krijuan më shumë volum dhe raste.

Leipzig ishte përsëri në kërkim të golit, teksa madrilenët përfituan nga hapësirat në mbrojtjen e gjermanëve dhe realizuan me anë te Vinicius Jr. në minutën e 65′, me braziliani që çoi në rrjetë një pasim fantastik të Bellingham.

Një gol që nuk ndikoi te Leipzig, që nuk u dorëzua dhe barazoi pas tre minutash me anë të kapitenit Orban.

Të besuarit e Rose kërcënuan rregullisht portën e Real Madrid, me portierin Lunin që ishte në lartësinë e duhur, ndërsa Olmo provoi sërish, por u ndal nga shtylla në fundin e kohës shtesë.

Në fund 1-1 dhe Real Madrid kualifikohet vetëm falë golit të Diaz në ndeshjen e parë, teksa Leipzig eliminohet pavarësisht dëshirës apo karakterit që tregoi.

City bën detyrën ndaj Copenhagen

Manchester City triumfon me rezultatin e përgjithshëm 6-2 ndaj Copenhagen dhe kualifikohet në çerekfinalet e Champions League.

Ashtu si ndeshja e parë e luajtur në Danimarkë që u mbyll me fitoren 3-1 të anglezëve edhe takimi i dytë, i luajtur në “Etihad Stadium” përfundoi me rezultatin 3-1 për ekipin e Guardiolës.

Në “Etihad Stadium” pjesa e parë dhuroi një spektakël të vërtet, me katër gola.

Vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të Akanji që përktheu në gol pasimin e Alvarez në minutën e 5’y

Katër minuta më pas, Man. City shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Alvarez.

2-0, por danezët nuk u dorëzuan dhe rihapën ndeshjen në minutën e 29′ me anë të Elyounoussit që u shërbye nga Oslarsson.

Goli i Copenhagen vendosi në lëvizje anglezët dhe në minutën 45+3’ shënuan sërish, këtë herë me Haaland.

Në ndryshim nga fraksioni hapës, pjesa e dytë nuk solli më gola përtej rasteve të shumta.

Ky takim u mbyll me triumfin 3-1 të Manchester City-t që kalon në çerekfinalet e Champions League, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 6-2 ndaj Copenhagen, me danezët që e mbyllin këtu rrugëtimin në këtë kompeticion.