Kulturë Refleksion për mësuesin

Refleksion për mësuesin

Nga Edmira Xhaferi

Lulet shumëngjyreshe rrinë në tavolinën time e më përkëdhelin me aromën e ditës së mësuesit. Ato flasin me ngjyrat e tyre, e, ndërsa i shoh, heshtin si të mos gjenden aty pranë meje me lulëzimin shpërthyes. Zgjas dorën drejt tyre, por nuk i ndjej më. Tashmë, në këtë përballje  më flet mundi i shumë kolegëve të mi që luftojnë me sakrificën e tyre për të shpërndarë dije, duke adhuruar të ardhmen e duke premtuar se kurrë nuk do rreshtin për të qenë aty ku duhet, qoftë edhe nëpër fshatrat e largët, në luftë me kohën dhe kushtet e vështira për të përçuar dije tek ata që nesër do të ndërtojnë të ardhmen.

Përpjekjet e tyre nuk kanë emër të përveçëm e as rreken për përfitime pushteti.

Të renditur, këta emra arsimtarësh nëpër faqe historie, shkollash e vendesh, flasin me zërin e tyre në emër të kontributit të dhënë për të arritur më të mirën, më të realizuarën, më të bukurën punë, e duke heshtur për atë që i mohohet më së shumti, vlerën e punës së tyre.

Vlerësimi i gjithçkaje që u falet është i dobët, i cekët, e humbët. Ajo shpesh është e mohuar zyrave të shtetit, e harruar dhe e humbur nëpër sirtarë “padronësh”, të cilët, duarve  të zgjatura të mēsuesve për të marrë atë që i takon, u bien e nuk i lënë të thonë se gjithçka e dhënë shpërblehet përsa meriton, gjithçka që meritohet, nuk mohohet e as braktiset nëpër bordero të ardhurash e rreshta fitimesh të ndershme.

Nuk janë vetëm “zyrat”, por në rradhë të parë vetë shoqëria duhet të reflektojë më shumë për mësuesin dhe kurrë të mos lejojë përgojimin apo nëpërkëmbjen e figurës së tij. E ndërsa prindërit ose dhe vetë nxënësit duhet të përulen me guxim për të respektuar uniformën e dijes e hapat për të ardhmen e tyre.

Ndërsa nën fuqinë e penës së kuqe , penën e dijedhënësve të parë , mësuesi dhe figura e tij ishte e shenjtë dhe e respektuar. Po tani ? E vështirë për të kuptuar historinë e traditës e të respektit.

Në Shqipëri sot, është e vështirë të qënit mësues, po aq sa dhe e arrirë, nëse  ke përpara në rrugën tënde penën e kuqe të atyre që rendën të parët në histori të luftonin heshtjen e mëndjes e mosgjykimin e dijes. Ata që sakrifikuan në historinë e arsimit shqiptar, sot do të ndiheshin thellësisht të dëshpëruar me zhvillimin e arsimit dhe trajtimin e mësuesit në Shqipëri.

Ngado që të hedhësh vështrimin sot ke përpara të të bërit një me profesionin emra që na shembëllejnë fort me veshtrimet e fëmijëve, në çastet kur mësojnë të lexojnë për herë të parë emrat e tyre, fjalët e jetës dhe të së ardhmes.

Mjafton të zgjasësh dorën dhe kupton se mësuesi është i veshur me përkushtim e dëshira të forta për profesionin e tij, me sakrificat e rrugës që duhet të përshkruajë deri te nxënësit e tij, me shpresën se e nesërmja do jetë më e mirë për të , dhe për familjen e shoqërinë, do jetë më e sigurtë dhe më e plotë në realizim projektesh e të ardhurash.

Unë nuk dua të zgjohem me mendimin se midis këtyre sakrificave gjejmë veten unë,  dhe secili mësues që nëpërmjet vlerave të punës, lufton për të ardhmen, për më të mirën, më të sigurtën rrugë, megjithëse i mbuluar me heshtjen dhe me frikën se zëri i tij nuk do dëgjohet kurrë. E përsëri shpresoj se dikur, diku, do zgjohemi nga ky realitet e do kuptojmë se vlerësimi për më të mirën do jetë në duart tona.

Arsimi është e ardhmja e një kombi e ne duhet të luftojmë fort ta mbrojmë e ta vlerësojmë atë. Ai lë gjurmë nëpër historinë dhe zhvillimin e kombit, ndaj ne duhet të rendim ta kapim fort për ta bërë promotorin e zhvillimit dhe te emancipimit kombëtar.