Kryesore Regjistrimi në zgjedhje/ Grupi i Alibeajt njofton Celibashin: Basha është dorëhequr, dokumentet...

Regjistrimi në zgjedhje/ Grupi i Alibeajt njofton Celibashin: Basha është dorëhequr, dokumentet janë të plota

Përmes një shkrese zyrtare, përfaqësuesi i grupit të Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa njofton KQZ-në se Lulzim Basha është dorëhequr nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, referuar deklaratës publike që ai ka dhënë më datë 21 Mars 2022 në mënyrë publike para Kryesisë së PD-së.

Shkresa i drejtohet KQZ-së me argumentimin se dokumentat janë të plota dhe ato mund të regjistrohen në zgjedhje.

“Basha nuk ndodhet faktikisht në detyrë, për shkak të heqjes dorë nga detyra në mënyrë publike përpara Kryesisë së Partisë më 21 Mars 2022”, thuhet mes të tjerash në shkresë.

Me sa duket, 48 orët e lëna nga KQZ për plotësim dokumentacioni nga Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk do të prodhojnë asnjë risi.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme, Alibeaj pas takimit me Kryesinë dhe grupin parlamentar deklaroi se dokumentacioni është i plotë dhe se ata do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 14 Majit.