Bota Rekord rastesh në Spanjë, Britani dhe në Francë, nuk përjashtohet izolimi

Rekord rastesh në Spanjë, Britani dhe në Francë, nuk përjashtohet izolimi

Franca shënon shifra rekord në pandeminë koronavirus. Në 24 orët e fundit janë raportuar më shumë se 16 mijë raste të reja, një nivel ky që nuk është arritur kurrë më parë.

Vala e dytë e infeksionit po shqetëson jo pak autoritetet shëndetësore në Francë, pasi numri i të shtruarve në reanimacion shkoi më 1 mijë.

Kryeministri francez, Jean Castex, bëri me dije se nuk përjashton mundësinë e një izolimi të ri, nëse situata do të vazhdojë të përkeqësohet. “Nuk luhet me pandeminë”, u shpreh ai, ndërsa iu kërkoi qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm.

Përballë kundërshtimeve të mëdha të zyrtarëve lokalë, kryeministri francez mbrojti shtimin e kufizimeve në Paris dhe Marsejë. “Nëse nuk reagojmë mund të izolohemi sërish”, paralajmëroi Castex.

Në një situatë të ngjashme është dhe Spanja. Ky vend raportoi mbi 10 mijë raste me Covid-19 në 24 orët e fundit, një rekord që e çoi shifrën totale të të prekurve në mbi 700 mijë.

Mbretëria e Bashkuar është një tjetër shtet europian që po përjeton valën e dytë të pandemisë. Rastet e reja ishin 6600, një shifër që nuk është raportuar kurrë më parë. Për të frenuar nivelin e lartë të përhapjes, qeveria e Londrës vendosi të shtojë kufizimet gjatë javës duke bërë që pub-et, baret dhe restorantet të mbylleshin pas orës 22:00.