Kryesore Reportazh nga Durrësi i shkërmoqur/ “Mos i rëntë askujt kjo që na...

Reportazh nga Durrësi i shkërmoqur/ “Mos i rëntë askujt kjo që na ka ndodhur ne”

Nga Entela Resuli

Rruga për në lagjen 18 në ish-kënetë, Durrës, është e gjatë dhe e ngarkuar me trafik.

Tërmeti i rënë mesditën e sotme u shtoi edhe më tepër frikën që i ka mbërthyer gjithë këto ditë banorët e asaj zone.

Në fytyrat e tyre lexohet trishtim dhe pasiguri.

Lëkundjet e vazhdueshme, i kanë detyruar që të largohen prej aty.

Një pjesë e tyre kanë dalë me çanta në duar në rrugë, ndërsa të tjerë kanë marrë ç’të munden nga banesat dhe po nisen…

Ka nga ata që pavarësisht se e shohin shtëpinë e tyre të zhveshur nga murit sërish qëndrojnë rrotull saj.

“Nuk na ka ardhur kush të na thotë çdo të bëhet me ne”- thotë një banor i lagjes tek ish-URT-ja në ish-Kënetë.

“Më është trembur shumë bashkëshortja. Nuk futem dot në asnjë banesë. Mos e ngacmoni ju lutem, se është e traumatizuar”- shprehet ai megjithë lodhjen e tepërt që ka për shkak të pagjumësisë dhe ankthit në këto orë të gjata, duke shtuar fjalinë që e dëgjojmë shpesh në këtë ditë: “Mos i ndodhtë askush kjo që na ka ndodhur ne!”

Ndërsa bisedojmë me të, copëza të vogla betoni shkëputen nga pallati 12-katësh, përballë nesh… mesa duket, lëkundjet vazhdojnë!

“Winnie The Pooh”

Në lagjen përkarshi, ndodhet pallati 6-katësh pranë Kryqit të Kuq. Më saktë, ish- pallati 6-katësh, pasi nëse nuk do e dinim, nuk do e besonim që ajo masë inertesh do të kishte qenë vetëm pak ditë më parë një ndërtesë.

Është e gjitha e shkërmoqur.

Forcat e kërkim shpëtimit janë aty, por kanë ndërprerë operacionin. Aty ndodhet edhe Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Mes rrënojave dallojmë edhe disa objekte që me siguri janë të Esielës, vajzës 8 vjeçe që humbi jetën krah së ëmës në atë ndërtesë.

Kukullat e saj të preferuara janë ende aty. Esiela jo! Aty është edhe arushi i saj i preferuar, Winnie The Pooh. Janë ngjyrat, që me siguri i ka përdorur së bashku me mamin, pasi e ëma ishte piktore. Aty duhet të jenë edhe pikturat e tyre të fundit…

Më i shkërmoqur se vetë pallati është shpirti i gjyshit të saj Ajet Meçjes i cili është i vetmi që ka mbijetuar nga familja. Ai ka humbur bashkëshorten, vajzën dhe mbesën. A ka vetmi më të madhe se sa ajo e Ajetit!?

Ajo që bie në sy është se ky pallat është i vetmi që është shembur në këtë lagje, ndërtesat e tjera rrotull tij janë në këmbë. Me dëmtime, por në këmbë. Çka ngre dyshime të mëdha për mënyrën se si është ndërtuar. Banorët na thonë se në këtë pallat kishte patur ndërhyrje në themele pasi ishte ndërtuar një lokal. Ndoshta kjo mund të ketë qenë një nga arsyet e shembjes së menjëhershme të tij.

Durrësi pas 26 Nëntorit

Durrësi, pas tërmetit të 26 nëntorit është një tjetër qytet. Me i pasigurt dhe me pallate të dëmtuar, të pabanuar dhe me ndërtesa të rrënuara tërësisht. Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë, por u desh një tërmet që ta na e tregojë dhe të na bëjë të besojmë se sa e rëndësishme është të ndërtohet me kriter.

Pjesa më e madhe e ndërtesave janë të ngritura pranë njëra-tjetrës. Nuk kanë respektuar distancat dhe as lartësitë. Ka pallate të cilat dukshëm kanë shtesë jashtë projektit. Të gjitha këto parregullsi në ndërtim çojnë që sa herë ka një tërmet pasojat të jenë të mëdha.

Ndërtesat që janë shembur nga ky tërmet në Durrës rrethohen nga ndërtesa të tjera që nuk kanë patur të njëjtin fat. Me siguri ndërtimi i tyre nuk ka qenë ashtu si i komshinjve në krah.

Me banesat e dëmtuara çdo të bëhet? Ka pallate të cilat edhe pse nuk u janë prishur strukturat u kanë rënë muret e brendshme. Ato janë të pabanueshme sot.

Banorët e këtij qyteti janë në kaos. Mbrëmjen e djeshme qindra prej tyre me çanta në duar ishin duke pritur të largoheshin. Stacioni pranë Plepave në Durrës, si asnjëherë më parë ishte i mbushur plot me njerëz të cilët kërkonin të iknin në drejtim të jugut. Pas këtij tërmeti Durrësi nuk është më i qetë. As Shqipëria.

Fotot: Entela Resuli/Gazeta DITA