Extra Resorti zviceran i skive përdor kuvertë për të ndalur shkrirjen e akullnajave

Resorti zviceran i skive përdor kuvertë për të ndalur shkrirjen e akullnajave

Në një nga destinacionet alpine më të njohura të Zvicrës, personeli i resortit ka punuar në muajt e verës për të kufizuar pasojat e ngrohjes së temperaturave në mbarë botën në shpatet akullnajore – duke mbuluar akullin për të bllokuar diellin.

Mali Titlis, 3238 metra i lartë, ka humbur sasi të mëdha akulli nga akullnaja e tij në dekadat e fundit. Brenda gjysmëshekullit të ardhshëm, pritet që gjithçka të shkrijë.

“Ne e vendosëm kuvertën mbi akull si një mbrojtëse natyrale” – tha për Reuters, Gian Darms, i cili mbikëqyr kushtet e borës dhe sigurinë e pistave për operatorin e teleferikut, Titlis Bergbahnen.

Reduktimi i shtresës së borës për shkak të ndryshimeve klimatike përfaqëson një kërcënim të madh për resortet e skive në të gjithë Europën. Një akullnajë mund të sigurojë njëfarë mbrojtje, duke ruajtur grumbujt e borës gjatë gjithë vitit, që mund të shpërndahen edhe në pistat e skive të zhveshura diku tjetër në shpate.

Por qeveria zvicerane tha se 90% e 1500 akullnajave të saj të mbetura do të shkrihen brenda fundit të shekullit nëse nuk bëhet asgjë për të zvogëluar emetimet e gazit serrë.

Darms tha se Titlis Bergbahnen i është dashur të rrisë vazhdimisht përmasat e kuvertës që shtrihet në akullnajë në vitet e fundit për të ruajtur atë çfarë ka mbetur.

Prej pesë a gjashtë javësh, një numër punonjësish po punojnë për të mbuluar pjesë të akullnajës me një kuvertë prej poliesteri, që ndihmon në parandalimin e shkrirjes gjatë verës dhe ruajtjen më shumë të borës të rënë një dimër më parë.

Ata tashmë kanë mbuluar rreth 100,000 metra katrorë, ose afërsisht sipërfaqen e 14 fushave të futbollit, i cili ndihmon në rrezatimin e energjisë së diellit përsëri në atmosferë, para se të kalojnë javë të tëra për ta hequr sërish.