Bota RETROSPEKTIVË / 2019-a, viti i protestave në të gjithë botën

RETROSPEKTIVË / 2019-a, viti i protestave në të gjithë botën

Kili, Hong Kong, Algjeri, Liban, Francë (jelekverdhët), Itali (sardelet) dhe kudo në botë, qytetarë të zemëruar dhe pa liderë kanë mbushur rrugët gjatë vitit 2019 duke rifilluar që me luftën e të ashtuquajturve ”të indinjuarit” të fillimit të dekadës kundër një sistemi politik, elitave apo pabarazive.

Të maskuar si protagonistë të filmit ”Joker” apo ”Vendetta” (Hakmarrja), mijëra qytetarë protestuan kundër të keqes së përbashkët në Bagdad, Bejrut apo La Paz duke hequr nga postet pesë drejtues shtetërorë apo qeverie.

Shkëndija mund të ketë qenë relativisht abstrakte, si ligji për ekstradimet në Hong Kong, rritja e biletës së metrosë në Santiago të Kilit apo taksa e re për WhatsApp-in në Liban, por kudo ka shkaktuar shpërthime të fuqishme të njëpasnjëshme.

Këto janë lëvizje të rëndësishme, ku të rinjtë shpesh janë pararojë, por që shkojnë përtej ndarjeve mes brezave.

Parrullat e hedhura në protesta shprehin mosbesimin ndaj një sistemi ekonomik, i cili nuk shihet më si vektor i ngritjes shoqërore dhe ka një demokraci joekzistuese apo shurdhe ndaj ankesave të qytetarëve.

Sipas ekspertëve, këto revolta i kanë rrënjët e tyre në lëvizjet e fillimit të dekadës: te ”Pranvera Arabe”, e nisur në fund të vitit 2010 në Tunizi ose ”Pushtimi i Wall Street”, në shtator 2011, kundër masave shtrënguese dhe abuzimeve të kapitalizmit financiar.

”Zemërimi nuk do të bjerë domosdoshmërisht në vitin 2020 dhe ata që kanë përfituar nga sistemi politik nuk do të heqin dorë lehtë. Mund të bëhemi dëshmitarë të kundërrevolucioneve dhe ato do të jenë të dhunshme”, paralajmëroi Karim Bitar, drejtor i Institutit të Shkencave Politike në Universitetin ”Shën Joseph”, në Bejrut.