Extra Rihapen bizneset në Xhorxha të SHBA, edhe palestrat e floktoret

Rihapen bizneset në Xhorxha të SHBA, edhe palestrat e floktoret

Xhorxha, shteti jugor i SHBA-ve, është kthyer në qendër të vëmendjes pasi guvernatori ka vendosur të rihapen bizneset, pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët.

Vetë presidenti Donald Trump ka dhënë mesazhe të paqarta në lidhje me këto vendime. Edhe pse u bëri thirrje guvernatorëve demokratë të shteteve të mëdha që të “çlironin” popullin nga masat kufizuese, ai tha se nuk është dakord me vendimin e Xhorxhas për të hapur bizneset.

Ndërkohë që numri i të vdekurve në SHBA ka arritur 50 mijë, guvernatori i Xhorxhas vendosi që të lejohet edhe hapja e bizneseve si palestrat, sallat e boulingut, tatuazhet e floktoret.

Një nga berberët e Atlantas, Tomi Tomas, i cili thotë se një nga klientët e tij është dhe vetë guvernatori, është mëse i lumtur për vendimin.

Megjithatë, hapja e biznesit është bërë duke ndjekur rregulla të rrepta. Në dyqan do të pranohen vetëm klientët që kanë caktuar takim paraprakisht, pasi duhet bërë sterilizimi i pajisjeve para se të ndërrohen klientët.

“Nuk më pëlqen të punoj me dorashka dhe me maskë, por do t’i bindem qeverisë dhe do të bëj ç’është e mundur që të fillojmë punën. Më mirë kështu se të rri në shtëpi e të humbas biznesin”, tha Tomasi, teksa punon me një klient.

“Më ka munguar puna me klientët, bisedat, shakatë e buzëqeshjet. Kam 50 vite që e bëj këtë zanat dhe nuk është thjesht punë, por një skenë sociale. Duhet të pres flokë e të bëj parà, për qiranë dhe për të ndihmuar berberët e tjerë”, thotë ai.

Ndërkohë, reagimet e qytetarëve në Xhorxha kanë qenë të ndryshme. Shumë prej tyre thonë se nuk do të shkojnë që tani nëpër palestra apo floktore, duke qenë se numri i të infektuarve e të vdekurve vazhdon të jetë i lartë.

Veç Xhorxhas, edhe Oklahoma ka nisur të lejojë hapjen e disa bizneseve që këtë të premte, ndërsa Flroida ka lejuar njerëzit të shkojnë në disa prej plazheve.