Bota Rikthehet “paqja” mes Italisë dhe Francës

Rikthehet “paqja” mes Italisë dhe Francës

Mes Italisë dhe Francës është rikthyer “paqja” pas akuzave të Macron për qëndrim jo korrekt të zëvendëskryeministrit italian LuIgi Di Maio, i cili doli hapur kundër tij e në krah të lëvizjes së ‘jelekëve të verdhë’.

Plot një javë pasi Franca tërhoqi përfaqësuesin e saj më të lartë diplomatik në Itali, ambasadorin Christian Masset, sot ai pritet të rikthehet në Romë.

Përcaktues në këtë vendim ka qenë biseda telefonike e zhvilluar pak orë më parë mes Presidentit italian Sergio Mattarella e Presidentit francez Emanuel Macron.

Të dy Presidentët kanë një vizon të përbashkët mbi marrëdhëniet mes dy vendeve e impenjimin e ruajtjes së raportit të mirë mes tyre.

Një ditë më parë në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, ministri i Jashtëm francez Jean Yves Le Drian u shpreh se “prej disa muajsh Franca është objekt i sulmeve të përsëritshme dhe i akuzave të ekzagjeruar nga qeveria italiane, e konsiderojmë se miqësia mes Italisë e Francës është një e mirë e përbashkët që është e rëndësishme të ruhet.”

“Kjo situatë shkaktonte dyshime të forta mbi qëllimet e vërteta të qeverisë italiane, prandaj e gjykuam të arsyeshme tërheqjen për konsultim të ambasadorit tonë nga Roma.”

Por kriza diplomatike mes Francës e Italisë u parapri nga një krizë politike e nisur pas akuzave të ministrit të Brendshëm Salvini, për kthimin në kufirin italo-francez të mjaft emigrantëve klandestinë të zbarkuar nga furgonat e xhandarmërisë franceze.

Krizë që u pasua me kërkesën e Ministrisë së Brendshme Italiane për riatdhesimin në Itali të terroristëve italianë të fshehur më tokën franceze qysh në të ashtuquajtura “vitet e plumbit”, si dhe me vendimin e qeverisë italiane për të bllokuar nisjen e punimeve për përfundimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë që lidh Italinë me Francën.

Lajmin për rikthimin e ambasadorit francez sot në Romë e ka bërë të ditur në një intervistë në radio RTL, ministrja franceze për Europën Nathalie Loiseau.