Bota Rolling Stones kërcënojnë se do të çojnë në gjyq Donald Trumpin

Rolling Stones kërcënojnë se do të çojnë në gjyq Donald Trumpin

Rolling Stones kanë kërcënuar se do të padisin presidentin Donald Trump pasi ka përdorur muzikën e tyre gjatë fushatës.

Ekipi ligjor i bandës britanike të rrokut po bashkëpunon me një organizatë e cila merret me të drejtat e autorit për të mos lejuar përdorimin e muzikës së bandës gjatë fushatës së Trump.

“BMI ka njoftuar personat përgjegjës në fushatën e Trump se përdorimi i paautorizuar i këngëve të tyre përbën shkelje ligjore”, kanë deklaruar Rolling Stones, sipas AP.

“Nëse Trump e shpërfill këtë atëherë ai do të përballet me një padi për përdorimin e muzikës që nuk ka autorizim”.

“You Can’t Always Get What You Want” (Nuk mund të marrësh gjithmonë atë që dëshiron) ishte një ndër këngët e luajtura në fushatën e Trump në Tulsa, ngjarje e cila u kritikua ashpër pas rritjes së numrit të rasteve në SHBA.

Kjo nuk është hera e parë që artistët ankohen për përdorimin e muzikës së tyre në mënyrë të paautorizuar nëpër fushata zgjedhore. Rolling Stones janë ankuar edhe në 2016 për të njëjtën ngjarje.

Ndër artistët e tjerë të famshëm që kanë kërkuar që muzika e tyre të mos luhet në fushatat e presidentit Trump janë Rihanna, Elton John dhe Tom Petty.