Sport Ronaldo feston si tifoz në El Clasico, miku i ngushtë: Është madrilèn...

Ronaldo feston si tifoz në El Clasico, miku i ngushtë: Është madrilèn i vërtetë

Në ditën e tij të lirë Cristiano Ronaldo ka fluturuar në Madrid me një avion privat për të asistuar si spektator në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës: El Clasico. Sulmuesi portugez është kthyer për herë të parë në Bernabeu që prej transferimit në Torino dhe  prezenca e tij nuk mund të kalonte pa u vënë re. Mjaftonte të shihje të festonte golin e Vinicius, pasuesin e tij (që festoi pikërisht si ai), për të bërë Madridin dhe Spanjën të ëndërrojnë.

Ishte pikërisht sulmuesi brazilian, i cili pas ndeshjes postoi një foto që e tregon duke festuar me fjalët “Nosso idolo Cristiano” (“Idhulli ynë Cristiano”), duke ushqyer ëndrrat për një rikthim të CR7: “Cristiano erdhi në dhomat e zhveshjes për të mbështetur ekipin dhe për të na dhënë mbështetje morale. Kjo është arsyeja pse unë festova. Cristiano është një fitues brenda e jashtë fushës”, ka zbuluar Vinicius.

Por bombën e vërtetë e dha pak më vonë një mik i ngushtë i fenomenit portugez, gazetari spanjoll Edu Aguirre, prej vitesh në krah të CR7: “Ajo që ka parë nga tifozët Cristiano ka qenë e pabesueshme. Afeksioni një orë përpara nisjes së ndeshjes, kur mësuan se do të shkonte, ishte çmenduri. Për një moment El Classico kaloi në plan të dytë në krahasim me rikthimin e Cristianos në Bernabeu. Ai është madrilèn e jam i sigurtë se ka ndjerë dëshirën të kthehet tek Real, duke parë skuadrën e tij të mundë Barcelonën. Është i përqendruar tek Juventus, i lumtur tek Juve, do të jepte jetën të fitonte Ligën e Kampionëve me Juven, askush nuk e lëviz që aty, por e ardhmja nuk dihet…”.