Aktualitet Rritja e rasteve me COVID-19, policia: Mos qëndroni grumbull nëpër lokale

Rritja e rasteve me COVID-19, policia: Mos qëndroni grumbull nëpër lokale

Policia e Tiranës apeloi qytetarët për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa ka shtuar monitorimin në tregje e supermarkete ku ka grumbullime njerëzish, me synim sensibilizimin e qytetarëve.

Policia e Tiranë, duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi COVID-19, kërkoi bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin e qytetarëve për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni.

“Respektoni protokollet e sigurisë, për të mos rrezikuar shëndetin tuaj dhe të të tjerëve, distancimin social. Bëni kujdes në ceremonitë festive dhe ato mortore, duke mos u grumbulluar në mënyrë masive. Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoni shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe doreza”, thuhet në apelin e Policisë.

“Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur COVID-19. Kushdo që është i infektuar me COVID-19, të respektojë në mënyrë rigoroze vetëkarantinimin, pasi Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e personave të infektuar dhe do vijojë ushtrimin e kontrolleve të pandërprera për monitorimin e kësaj kategorie, duke marrë masa për cilindo që shkel këtë rregull, sipas sanksioneve ligjore në fuqi”, shprehet Policia.