Sport Rummenigge: Superliga nuk është zgjidhja e problemeve të futbollit europian

Rummenigge: Superliga nuk është zgjidhja e problemeve të futbollit europian

Këto që po përjeton futbolli europian janë ditët më të trazuara në historinë e tij të fundit. Në fakt, lindja e Superligës rrezikon të ketë pasoja, që është e vështirë edhe të imagjinohet për momentin. Drejtori i Përgjithshëm i Bayern Munchen, Rummenigge, shpjegoi në një intervistë me “Corriere della Sera” se si lindi kjo garë e re:

“Ne kemi qenë duke folur për këtë prej dhjetë vitesh dhe gjithmonë kemi vendosur të mbajmë modelin ekzistues. Pastaj, koronavirusi dëmtoi të gjithë futbollin evropian, veçanërisht ekipet e mëdha, të cilat humbën shumë pa tifozët në stadiume. Prandaj, disa klube menduan se ishte koha e duhur për të bërë një Superligë. Dhe lindi një rrëmujë e madhe…”

Në orët e kaluara, presidenti i UEFA-s, Ceferin, ka përdorur fjalë shumë të ashpra kundër Andrea Agnelli: “Më vjen keq për atë që ndodhi, sepse ata kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie miqësore dhe kanë punuar së bashku. Gjëja e rëndësishme tani është të rifillojë një dialog i caktuar. Shpresa ime është të gjendet ende një zgjidhje, sepse Superliga dëmton të gjithë futbollin evropian. Dhe ne duhet ta shmangim atë”.

Sipas Rummenigge, Superliga nuk është zgjidhja e problemeve të futbollit evropian: “Zgjidhja është ulja e kostove. Me Superligën, klubet po përpiqen të zgjidhin problemin e borxheve, të cilat janë përkeqësuar me pandeminë. Por rruga nuk mund të jetë për të mbledhur gjithnjë e më shumë dhe për të paguar gjithnjë e më shumë lojtarë dhe agjentë. Ne duhet t’i zvogëlojmë gjërat pak, jo të vendosim më shumë në tryezë. Ne kemi ekzagjeruar me shpenzimet: të gjithë, pa përjashtim. Është koha për t’u treguar më pak arrogant me shpenzimet”.

Ndër 12 klubet themeluese të Superligës është edhe Interi: “Thuhet se Interi gjithashtu ka probleme të mëdha financiare dhe ndoshta po mendon t’i zgjidhë në këtë mënyrë. Të ardhurat për të cilat po flasin iniciatorët e Superligës duken të mëdha, por nuk e di nëse problemet do të zgjidhen në planin afatgjatë. Nuk e besoj. Nuk është e mundur të grumbullohet gjithnjë e më shumë për të kompensuar shpenzimet”.

Bayerni është ndër emrat e mëdhenj në futbollin evropian që kanë vendosur të mos marrë pjesë në projektin e Superligës: “Ne nuk jemi brenda, sepse nuk duam të jemi pjesë e saj. Jemi të lumtur që luajmë në Bundesliga, një biznes “bukë e gjalpë”, siç thonë britanikët. Jemi të lumtur me Ligën e Kampionëve dhe të mos harrojmë përgjegjësinë ndaj tifozëve tanë, të cilët përgjithësisht janë kundër një reforme të tillë. Ne ndiejmë përgjegjësi ndaj futbollit në përgjithësi”.