Bota Rupert Murdoch lë pas 70 vjetësh presidencën e “Fox e News Corp”,...

Rupert Murdoch lë pas 70 vjetësh presidencën e “Fox e News Corp”, do ta zëvendësojë djali i tij

Rupert dhe Lachlan Murdoch

Pas shtatëdhjetë vjetësh, manjati australian i medias Rupert Murdoch ka njoftuar tërheqjen e tij nga kryesimi i News Corp dhe Fox.

Miliarderi 92-vjeçar do të marrë titullin e presidentit të nderit, ndërsa djali i tij Lachlan do të jetë në krye të të dy kompanive.

Në një shënim, News Corp shpjegon se në fund të një karriere që filloi në 1954, Murdoch, i cili mbushi 92 vjeç në mars, po largohet nga kompania botuese e cila përfshin ndër botimet e saj Wall Street Journal, New York Post, Dow Jones dhe Barron në SHBA dhe Times, Sunday Times dhe tabloidi The Sun në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga korporata televizive amerikane Fox,  Murdoch do të lirohet në takimet e ardhshme në mes të nëntorit. Djali i tij Lachlan do të bëhet president i vetëm i News Corp, duke vazhduar të shërbejë si kryetar ekzekutiv dhe CEO i Fox Corporation.

“Në emër të Bordeve të Drejtorëve të Fox and News Corp, ekipeve menaxheriale dhe të gjithë aksionarëve që kanë përfituar nga puna e tij, e përgëzoj babanë tim për karrierën e tij të jashtëzakonshme 70-vjeçare”, tha Lachlan Murdoch.

“E falënderojmë për vizionin e tij, shpirtin e tij pionier, vendosmërinë e tij e palëkundur dhe trashëgiminë e qëndrueshme që ai la pas për kompanitë që ai themeloi. Ne jemi mirënjohës që në rolin e tij si Kryetar Nderi ai do të vazhdojë të japë këshilla të paçmueshme për të dyja kompanitë”, përfundoi ai.