Aktualitet Rasti i parë/ Një vajzë shqiptare “wanted” prangoset në Londër, do të...

Rasti i parë/ Një vajzë shqiptare “wanted” prangoset në Londër, do të ekstradohet në Shqipëri

Në 25 vitet e fundit janë me qindra shqiptarë të arrestuar në Angli për qëllime ekstradimi si të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Për herë të parë, si e kërkuar nga drejtësia shqiptare, është arrestuar në Angli një vajzë.

Sipas dokumenteve nga gjykata e ekstradimeve në Londër, Top Channel raporton se skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, pas një urdhër arresti nga Shqipëria ka arrestuar Lirie Delishin.

Gjykatës së ekstradimeve iu tha se Lirie Delishi 25 vjeçe, me banim në veri të Londrës, kërkohet pasi sipas akt akuzës ngritur nga drejtësia shqiptare, ajo dyshohet se në datën 22 gusht 2019 në territorin e Shqipërisë, mbante një pasaportë rumune të falsifikuar e cila i përkiste Simona Valcu.

Më tej në aktakuzë shpjegohet se Delishi kishte si qëllim ta përdorte këtë pasaportë sikur të ishte e vërtetë duke i vendosur foton e saj.

Delishi do t’i zhvillojë seancat gjyqësore të ekstradimit në liri me kusht.

Seanca e radhës ndaj saj do të mbahet në  16 janar të vitit të ardhshëm në gjykatën Westminster Magistrates’ Court përpara gjykatësit DJ Zani./TCH